Foto: Kuvendi i Kosovës

Veseli takoi Hahn-in, komunikata nuk e përmend taksën ndaj Serbisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot Komisionerin Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, me të cilin ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, dialogun me Serbinë si dhe reformat që Kosova po bën në shumë fusha.

Në komunikatën e dërguar nga zyra e Kuvendit të Kosovës, nuk përmendet në asnjë rast taksa doganore e vendosur nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, çështje për të cilën Hahn ka ardhur në Kosovë.

Komunikata thotë se Kryetari Veseli falënderoi Komisionerin Hahn për mbështetjen që Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës.

Ai theksoi se qytetarët e Kosovës presin që BE-ja të jetë unike sa i përket heqjes së vizave, pasi tashmë çdo kriter është plotësuar.

Kryeparlamentari Veseli theksoi se është e padrejtë për qytetarët e Kosovës që edhe pas plotësimit të kritereve të kërkuara, të mbesin të vetmit të izoluar në Ballkan.

Sa i përket dialogut me Serbinë, kryetari Veseli theksoi se Kosova është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale, që do të zgjidhë një herë e përgjithmonë të gjitha çështjet e hapura e në të njëjtën kohë i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, OKB, NATO dhe organizata të tjera.

Në lidhje me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, Kryeparlamentari Veseli e njoftoi Komisionerin se Kuvendi i Kosovës do të miratojë ligjet për këtë, me 14 dhjetor. Ai theksoi se ky vendim do të jetë një hap i rëndësishëm për ruajtjen e paqes në Ballkan, duke forcuar po ashtu partneritetin me NATO-n., thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës​.