Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së KUvendit | Foto: KALLXO.com

Veseli: Shënimi i Kufirit me Malin e Zi Duhet të Përfundojë

Kadri Veseli tha se shënimi i kufirit me Malin e Zi duhet të përfundojë, ndërsa konstatoi se ai mjaft është vonuar.

“Shënimi i kufirit me malin e Zi duhet të përfundojë. Të kemi ratifikimin e marrëveshjes dhe të votohet. Në të njëjtën kohë duhet të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët tanë”, tha Veseli.

Ai tha se nuk ka hyrë në kalkulime rreth votave, por kërkoi reflektim të deputetëve.

“Jam i bindur se do të kalojë, nuk kah hy në kalkulime, pres reflektimin e të gjithë kolegëve deputetë që bashkërisht të kryhet kjo çështje që është në interes të vendit”, tha Veseli.

Ai konstatoi se përgjegjësia për seancën ku do të votohet marrëveshja e demarkacionit është e të gjithë deputetëve.

“Jemi të fokusuar te 80 vota të cilat janë substanciale për të kaluar marrëveshja e shënimit të kufirit. Përgjegjësia është e përbashkët e të gjithë neve”, tha Veseli.

Ai e konsideroi të gjatë mbledhjen e sotme të Kryesisë, ndërsa tha se në mbledhje janë caktuar katër seanca.

Seanca e jashtëzakonshme rreth demarkacionit do të zhvillohet nesër, të enjten është paraparë vazhdimi i seancës së kaluar me pikat e mbetura të saj.

Edhe të premten do të ketë seancë të re, ndërsa të hënën Kuvendi do të mblidhet në një seancë solemne për epopenë e UÇK-së dhe luftën e Jasharëve në Prekaz.