Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, Foto: Kadri Veseli/Facebook

Veseli falënderon Maqedoninë e Veriut për ndihmën gjatë luftës në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është duke qëndruar në Maqedoninë e Veriut në 20 vjetorin e fillimit të sulmit të forcave ajrore të NATO-s ndaj forcave serbe.

Veseli ka përmendur bashkëpunimin e Maqedonisë së Veriut me forcat e NATO-s për t’u futur në Kosovë dy dekada më parë.

“Në 20 vjetorin e fillimit të sulmeve ushtarake të NATO-s mbi Serbi, sot qëndrova në Maqedoninë e Veriut ku takova në Shkup homologun dhe mikun tim Talat Xhaferi. Shteti ynë fqinj ka dhënë kontribut të çmuar duke hapur rrugët e bashkëpunimit për forcat e NATO-s të cilat nga aty janë futur në Kosovë për tu dalë në ndihmë qytetarëve tanë”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Po ashtu, Veseli është shprehur mirënjohës ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për strehimin dhe ndihmat që kanë dhënë për qytetarët e Kosovës të dëbuar dhunshëm nga forcat serbe.

“Ne nuk do ta harrojmë asnjëherë ndihmën e miqve tanë anembanë botës në kohën e luftës. Ju jemi mirënjohës përjetë”, është shprehur Veseli.