Mrika (majtas) dhe Gjela Gjikola në ceremoninë e rivarrimit të vajzave të tyre Prena dhe Dina Gjikola në vitin 2003, në fshatin e tyre në zonëm e Mirditës në veri të Shqipërisë, Foto kortezi e Fatbardha Saraçit/Balkan Insight

Vdes simboli i vuajtjes së të burgosurve të komunizmit në Shqipëri

Mrikë Gjikola, një ish e burgosur lufta e gjatë e të cilës për të gjetur varrin e të bijës nxori në pah vuajtjen e njerëzve të internuar në kampet e përqendrimit gjatë kohës së komunizmit, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare.

Mrikë Gjikola, e cila kaloi vite duke kërkuar varrin e vajzës së saj që vdiq në një kamp përqendrimi të kohës së komunizmit, vdiq të hënën në Fushë Mamurras në Shqipërinë e veriut. Ajo ishte 97 vjeçe.

Gjikola u bë një simbol i përpjekjeve për të kujtuar historinë e sistemit të kampeve komuniste të burgimit në vitin 2002 kur, pas 15 vitesh kërkime të vazhdueshme, ajo arriti të gjente varrin e pashënuar të vajzës së saj shtatë vjeçare dhe të rivarroste eshtrat e saj në fshatin e saj të lindjes.

Më 23 gusht të këtij viti, presidenti shqiptar Ilir Meta i dha asaj çmimin për “Merita të Veçanta Qytetare” gjatë një ceremonie për të përkujtuar viktimat e kampit të përqendrimit të Tepelenës, ku ajo u mbajt nga regjimi komunist.

Gjikola u burgos nga viti 1948 deri në vitin 1952, sepse ajo ishte e martuar me Bibë Gjikolën, një pronar dyqani që u zhduk në rrethana të panjohura, pasi regjimi komunist shqiptar i sapoformuar konfiskoi mallin e tij dhe mbylli dyqanin e tij familjar.

Ajo u mor me forcë nga shtëpia e saj në malet e Shqipërisë së veriut për t’u internuar së bashku me të gjithë familjen e saj, përfshirë edhe vajzën e saj Prenën, në kampin e Tepelenës.

Komunistët shqiptarë po kërkonin të shtypnin çdo kundërshtim duke internuar njerëzit në një sërë kampesh, nga të cilët Tepelena mbahet mend si më i keqi.

Dëshmitë e të mbijetuarve tregojnë një histori të një diete gati në vdekje nga uria dhe një shpërthim të tmerrshëm tifoje, së bashku me shpërfilljen e hapur të zyrtarëve të kampeve, të cilat shkaktuan qindra vdekje mes të moshuarve dhe fëmijëve.

Kunata e Gjikolës, Gjela, nëna e një vajze të porsalindur, gjithashtu u internua në Tepelenë dhe fëmija i saj vdiq gjithashtu në kamp.

Pasi kampi u mbyll në vitin 1952, Gjikola u lejua të kthehej në shtëpinë e saj, por u përball me forma të ndryshme persekutimi derisa regjimi komunist humbi pushtetin në vitin 1991.

Mrika dhe Gjela Gjikola kërkuan rreth 15 vjet për varret e pashënuara të vajzave të tyre dhe arritën t’i gjenin ato në vitin 2002, pasi iu dhanë informacione nga banorët e fshatit Turan, pranë kampit të Tepelenës.

Presidenti Ilir Meta gjithashtu i dha Gjela Gjikolës çmimin për “Merita të Veçanta Qytetare” muajin e kaluar.

Ndërsa dy gratë arritën të gjenin eshtrat e vajzave të tyre, Preng Gjikola, një tjetër i afërm, tha së fundmi se familja e tij ende po pret të gjejë eshtrat e katër të afërmve të tjerë që u zhdukën gjatë komunizmit.

Pothuajse tre dekada pas rënies së komunizmit, Shqipëria vazhdon të përpiqet të lërë pas të kaluarën e saj të dhunshme.

Janë bërë disa përpjekje për të çuar përpara procesin e gjetjes së varreve të mijëra viktimave të regjimit, por procesi ka qenë i ngadaltë.

Parlamenti i Shqipërisë ende nuk ka miratuar një marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur i cili synon të ndihmojë vendin të ndërtojë një sistem për të kërkuar dhe identifikuar ata që u zhdukën.

Ndërkohë ka pasur polemika më herët këtë vit kur Pëllumb Xhufi, një historian i kohës së komunizmit, kundërshtoi shndërrimin e atij që mbetet nga kampi i Tepelenës në një vend historik.

Xhufi u shpreh se kushtet në kamp ishin “jo të këqija” dhe nuk pranoi krahasime me kampet naziste të përqendrimit.