Ekspozita “Jeta e përditshme në Spaç” në Tiranë. Foto: BIRN.

Artistja rikrijon imazhe të jetës së të burgosurve shqiptarë të epokës komuniste

Një sërë veprash artistike të bazuara në kujtimet e ish të burgosurve në burgun e Spaçit të epokës komuniste të Shqipërisë, rikrijojnë jetën brenda burgut famëkeq, pasi besohet se nuk ekzistojnë të dhëna fotografike për këtë.

Një ekspozitë me vizatime nga artistja shqiptare Ina Elezi, bazuar në bisedat e saj me ish të burgosurit që ishin burgosur në Spaç, ku regjimi komunist i Shqipërisë i shfrytëzonte të burgosurit politikë për punë të detyruar, u ekspozua të dielën në Qendrën Kreative Destil në Tiranë.

Imazhet e saj në ekspozitë përshkruajnë jetën e përditshme të të burgosurve në burg në një vend të largët në veri të Shqipërisë dhe punën e tyre në minierat e bakrit dhe piritit aty pranë.

“Si pjesëtare e një brezi të ri, nuk kisha asnjë ide për burgun. Ne kemi dëgjuar se ‘ishte e vështirë’, por kur këtë e dëgjon nga njerëzit që e kanë përjetuar drejtpërdrejt atë… ishte e tmerrshme”, tha Elezi për BIRN.

“Puna që ata bënin gjatë ditës do t’i çonte drejt vdekjes, sepse ishte shumë e vështirë. Puna në minierat e bakrit dhe piritit, procesi i nxjerrjes së piritit ishte i tmerrshëm sepse ndërsa ishin brenda minierave, piriti i digjte sepse ai përmban acid dhe nuk kishin rroba të përshtatshme pune”, shtoi ajo.

Gëzim Çela, një ish i burgosur në Spaç, mori pjesë në hapjen e ekspozitës të dielën.

Foto:BIRN

Çela u arrestua në vitin 1957 dhe u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës me 12 vjet burg, konfiskim pasurie dhe heqje të së drejtës së votës për pesë vjet për “tradhti ndaj atdheut”.

Ai u fal në 1964, por u arrestua përsëri në 1971, u dënua me tetë vjet burg për “agjitacion dhe propagandë” dhe u dërgua për të bërë punë të detyruar në Spaç.

“Na zgjonin në mëngjes. Pastaj shkonim në mensë dhe na jepnin një lloj supe. Pas kësaj, përgatiteshim për punë, të veshur me ‘rroba pune’, një palë çizme dhe një xhaketë, pastaj shkonim në punë. Gjatë ditës punonim si minatorë”, tha Çela për BIRN.

“Ishte e tmerrshme. Na sollën një televizor në burg dhe u shfaq një film. Mbaj mend që ishte një komedi amerikane dhe të gjithë filluan të qeshnin. Komandanti u tërbua dhe dha urdhër që ‘televizori të fikej sepse të burgosurit nuk kanë të drejtë të qeshin’. Mund të dënoheshe, nëse qeshje”, kujton ai.

Në maj 1973, të burgosurit në Spaç organizuan një kryengritje kundër gardianëve të tyre, duke bërë thirrje për liri dhe fundin e komunizmit, por revolta u shtyp pas dy ditësh. Katër të burgosur u ekzekutuan dhe 66 të tjerëve iu dhanë dënime më të gjata.

Foto:BIRN

Pas revoltës, ku mori pjesë, Çela u dënua sërish me 14 vite burg. Ai u lirua përfundimisht në vitin 1982.

Ekspozita u mbajt nga OJQ-ja kujto.al, një organizatë që fokusohet në përkujtimin e së kaluarës komuniste të Shqipërisë. Ajo ishte pjesë e një sërë aktivitetesh në Tiranë të titulluar “Ditët e Kujtesës”, duke përfshirë disa kushtuar periudhës komuniste.

Ish-burgu është shpallur monument kulture në vitin 2007 dhe ish-të burgosurit kanë kërkuar që ai të kthehet në një muze kujtimi, por kjo nuk ka ndodhur ende.

Fondi Botëror i Monumenteve, një organizatë e pavarur kushtuar ruajtjes së monumenteve të kulturës, tha në vitin 2017 se vendi (i burgut) është në “një gjendje jashtëzakonisht të përkeqësuar” dhe se ai duhet të ruhet.

“Meqenëse nuk ekziston asnjë tjetër si vend kujtimi për ish të burgosurit politikë në Shqipëri, ekziston një nevojë urgjente për të avancuar njohuritë, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut dhe për të krijuar kërkesën për shndërrimin e këtij vendi në një qendër kujtimi dhe edukimi”, tha Fondi Botëror i Monumenteve./BalkanInsight.