Burgu i Spaçit

Shqipëria më në Fund Debaton Rreth Përdhunimeve të Komunizmit

Fjalët e përhapura se gratë e familjeve të persekutuara nga autoritetet e regjimit komunist u përdhunuan si ndëshkim kanë qarkulluar gjatë dy dekadave të shkuara, por një debat publik më i madh shpërtheu pasi çështja u theksua nga ish-këngëtarja dhe shkrimtarja Alida Hisku, që tani jeton në Gjermani.

Në një intervistë për një gazetë, Hisku pranoi se ajo u përdhunua nga një hetues ndërsa mbahej e izoluar.

Megjithëse ajo më pas i tërhoqi komentet, pasi nxitën debat publik.

Simon Mirakaj, ish-drejtor i Institutit Shqiptar për Ish të Përndjekurit – një ish i burgosur politik edhe vetë – i tha BIRN se fenomeni i përdhunimit në komunizëm ishte i përhapur veçanërisht kur familjet e “armiqve të Partisë” burgoseshin.

“Anëtarë të policisë së vjetër sekrete, Sigurimi, përzgjidhnin gratë më të bukura të të burgosurve. Askush nuk thoshte asnjë fjalë për këtë përndryshe vriteshin”, tha ai.

Mirakaj tha se kishte me dhjetëra gra me histori si të Hiskut, por është shumë e vështirë për to të pranojnë haptazi atë që ka ndodhur.

Agim Musta, një kërkues dhe shkrimtar i cili kaloi 11 vite në burgjet komuniste, gjithashtu i tha BIRN se fenomeni ishte i përhapur, por nuk priste që asnjë nga gratë abuzuara të fliste publikisht për këtë gjë.

“Ne jetojmë në një shoqëri konservatore në të cilën të flasësh për përdhunimin është shumë e vështirë, duke pasur parasysh se këto gra janë tanimë në moshë të madhe,” tha ai.

Musta tha se gjatë intervistave që ai kishte bërë rreth varieteteve të persekutimeve nën Komunizëm, rezultoi se vitet më të këqija të abuzimeve të tilla ishin mes 1945 dhe 1950.

“Gjëra të tmerrshme ndodhën me gratë disidente dhe bashkëshortet e të burgosurve politikë gjatë asaj kohe në burg dhe kudo tjetër. Më vonë partia u centralizua dhe zyrarët dhe njerëzit e Sigurimit kishin frikë se dikush do t’i spiunonte dhe filluan ta bëjnë në mënyrë më sekrete,” tha ai.

Agron Tufa, një shkrimtar dhe drejtor i Institutit për Krimet e Komunizmit i tha BIRN se arsyeja e vërtetë përse kjo çështje nuk është diskutuar haptazi më parë lidhet me gjendjen e keqe të medias në vend.

“Çfarë lloj sigurie do të kishin ato gra për të folur publikisht nëse shohin se media shqiptare është plot opinione dhe intervista të njerëzve që ishin pjesë e policisë sekrete?” tha Tufa.

Ai tha se nuk kishte më shkaqe për skepticizëm rreth përdorimit të përdhunimit si ndëshkim në Komunizëm sepse njerëzit që kishin jetuar atë kohë dhe të tjerë që kishin pasur akses në dosje sekrete konfirmojnë se ishte fenomen i përhapur.

Tufa beson se tani është koha që shteti të inkurajojë viktimat të dalin dhe të ndëshkohen abuzuesit.

Të paktën 450 gra shqiptare u ekzekutuan në Komunizëm dhe mijëra të tjera u mbajtën në kampe burgimi dhe u përdorën për punë të detyruar.