Vazhdon Seanca e Papërfunduar e Kuvendit të Pakonstituuar

Mes paralajmërimeve të koalicionit PDK-AAK-NISMA se sërish nuk do të marrin pjesë, Kuvendi i Kosovës ka thirrur për sot vazhdimin e seancës konstituive me pikën e vetme të rendit të ditës zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.

Koalicioni PDK-AAK-NISMA, ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në seancë për të propozuar kandidatin e tyre, duke e bojkotuar kështu edhe një tjetër tentativë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit.

Shtetet e QUINT-it kanë shprehur të dielen brengosjen e tyre lidhur me situatën politike në Kosovë, duke thënë se është përgjegjësi e liderëve kosovarë t’i krijojnë institucionet por edhe të ndërmarrin reformat e nevojshme që të parandalojnë bllokada të tilla në të ardhmen. Ndryshe, sot për herë të katërt do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, një domosdoshmëri kjo për krijimin e Qeverisë së re, për të cilën nevojiten 61 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 21Media