Varrosen Florenta dhe Florent Mramori
Florenta 13 vjeçe dhe Florenti 11 vjeç, dy fëmijët e familjes Mramori, u varrosën sot pas ngjarjes tragjike e cila ndodhi gjatë ditës së djeshme.
Shumë njerëz ishin mbledhur për t’i përcjellë ceremoninë e varrimit të dy fëmijëve.
Të pranishëm në varrim ishin edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri dhe Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli.
Ngjarja tragjike ndodhi pasi motër e vëlla kishin shkuar për t’u freskuar në gropën me ujë në lagjen “Kolovica” të Prishtinës e cila ishte hapur nga një kompani për nevoja të nxjerrjes së zhavorrit.
Varrimin e tyre e përcollën edhe mësuesit e shokët e tyre të shkollës të cilët edhe i kushtuan disa fjalë rasti.
Shoqja e tyre përderisa lexonte fjalët të cilat ia kishin kushtuar Florentës dhe Florentit, të gjithë ata të cilët ishin të pranishëm u mbushën me lot.
Edhe Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ligështuar nga tragjedia e familjes Mramori, nuk preferoi që ta marrë fjalën pasi tha se nuk kishte forcë të fliste.