Gjykimi për krime lufte ndaj Dushko Arsiq, Foto: KALLXO.com

Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte, dëshmitari: Gjyshin tim e kanë rrah sepse nuk ka dashtë të largohet nga shtëpia

Në procesin Gjyqësor ndaj të akuzuarit për krime luftë kundër popullatës civile në Kosovë, Dushko Arsiq, në periudhën kohore janar-qershor të vitit 1999, ka dhënë versionin e tij dëshmitari Arsim Krasniqi.

Krasniqi i cili ishte vetëm 13 vjeç në kohën për të cilën akuzohet Dushko Arsiq, tregoi momentet trishtuese se si familja e tij ishte dëbuar nga shtëpia ku jetonte nga fqinjët e tij.

“Na kemi qenë në Kolovicë me familje prej Kolovice na kanë ndjekë serbët e Kolovicës se qaty kojshi i kemi pas, na kanë dëbuar nga shtëpitë”- tha dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, kjo ngjarje ka ndodhur diku tre muaj para përfundimit të luftës.

Krasniqi rrëfimin e tij e vazhdoi nën emocione duke treguar se si sërbët të uniformuar e të armatosur kishin detyruar familjen e tij të largoheshin nga vendbanimi i tyre, përderisa gjyshi i dëshmitarit kishte këmbëngulur që të mos largohej, veprim për të cilin edhe ishte rrahur.

“Po babagjyshin tim e kanë rreh se nuk ka dalë deri te më i fundit, s’ka dashtë me dalë se ka thonë se lëshoj ktuhen, gjyshi im ka qenë 80 vjet”- vazhdoi rrëfimin dëshmitari.

I njëjti pohoi ta ketë parë gjyshin e tij të ketë pësuar lëndime trupore.

Krasniqi përmendi me emra personat të cilët sipas tij i kishin dëbuar nga shtëpia.

“Personat që na kanë largu prej shtëpisë kanë qenë Ivani,  Bobani i Rashes, Pexha, Sfeta edhe Cubi” – ka deklaruar ai para gjykatës.

Dëshmitari tha të ketë dëgjuar emrin e Dushko Arsiq nga disa persona të cilët po ashtu ishin të dëbuar së bashku me diku rreth 300-400 persona të cilët ishin duke qëndruar në fshatin Butovc.

Në këtë rast dëshmitar i prokurorisë ishte edhe G.K., por i njëjti nuk u paraqit në seancë për arsye shëndetësore që kishin lidhje me seancën e datës 6 korrik 2023. I njëjti gjatë dhënies së dëshmisë ishte alivanosur dhe dhënia e dëshmisë së tij kishte mbetur në gjysmë.

Në këto rrethana trupi gjykues me në krye Vesel Ismailin, Suzana Qerkinin dhe Violeta Namanin, caktoi seancën e radhës më 21 dhe 24 nëntor 2023.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, Dushko Arsiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupe paramilitare, në periudhën e luftës më saktësisht në muajt janar-qershor 1999 ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës.

Tutje sipas Prokurorisë, të njëjtit kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pastaj të njëjtave ua kanë vënë zjarrin me qëllim të dëmtimit të tyre e po ashtu ka marrë pjesë në keqtrajtimin e shqiptarëve ku disa prej tyre i kanë plagosur e disa prej tyre i kanë vrarë, thuhet në aktakuzë.

“I akuzuari ka marrë pjesë në ekzekutimin e viktimave, tani të ndjerit B. Sh., ashtu që më 20.02.1999 në fshatin Butovc, derisa viktima ka qenë duke ecur të njëjtin e kanë gjuajtur me arme automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A. K. që në atë kohë ishte vetëm 15 vjeçar që trupin e B. Sh. ta mbaj në shpinë”- thuhet tutje në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Dushko Arsiq në po të njëjtën datë dhe vendin e njëjtë fillimisht e ka ndalur të dëmtuarin A. K. që ishte 15-vjeçar, i akuzuari së bashku me ushtarët serb dhe paramilitarët urdhërojnë të dëmtuarin që të heq çantën që e ka pasur në shpinë e më pastaj i akuzuari i del prapa shpine dhe e godet të dëmtuarin me tytë të automatikut në pjesën e poshtme të shpinës.

“Pas goditjes nga i akuzuari, i dëmtuari bie në tokë, pastaj të njëjtit fillojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë fizikisht e psiqikisht. Pastaj i dëmtuari vëren dy persona tjerë të nacionalitetit serb të cilët i njeh, Dragan Niçiq dhe Boban (mbiemri nuk i kujtohet), e ku i dëmtuari i pyet që të dy ‘Pse bre kojshi kjo kështu’, Bobani përgjigjet ‘Komsho bre komshija, gde je Amerika’ (Kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji)”.

Sipas aktakuzës, me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK