Ilustrim
Vrasja në Kolovicë, Policia sekuestroi një armë gjuetie
KALLXO.com raportoi sot një person ka vdekur pas plagëve që ka marrë nga një armë zjarri në Kolovicë të Prishtinës.
Policia e Prishtinës ka bërë të ditur se viktima është burrë me iniciale F.B.
Lidhur me këtë rast, policia ka arrestuar një person dhe ka sekuestruar një armë gjuetie që dyshohet të jetë përdor në rast.
“Sot rreth orës 10:30, në lagjen Kolovicë të Prishtinës, policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri.Viktima e këtij rasti F.B. mashkull, nuk ka arritë të përballoj plagët e shkaktuara dhe i njëjti ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK” – thuhet në përgjigjen e Policisë.
Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar fillimisht zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve te Renda është njoftuar nga policia për një rast qe ka ndodhur sot ne Kolovice, me ç’ rast e njëjta i është përgjigjur vendit të ngjarjes bashkë me njësitë e tjera relevante. Një person ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një arme zjarri, ku me urdhër te prokurorit është dërguar ne IML për obduksion, derisa një person tjetër është shoqëruar në stacion policor – tha Ulaj.
Sipas Ulajt, Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore nga vendi i ngjarjes me qëllim të ndriçimit të gjitha rrethanave të këtij rasti.