Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik. Foto: Kallxo.com

Valdrin Lluka deklaron 53 mijë euro borxh

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në deklarimin e pasurisë për vitin 2018 në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar borxh me vlerë 53 mijë euro ndaj personave fizik dhe juridik.

Për dallim nga deklarimi pasurisë së ministrit Lluka në vitin 2017 ky borxh ka rënë për 1 mijë euro. Në vitin 2017 ai kishte deklaruar borxh me vlerë 54 mijë euro kurse në vitin 2018, borxh me vlerë 53 mijë euro.

Përveç borxhit ai ka deklaruar përsëri shtëpinë 202 metra katrorë me vlerë 170 mijë euro të cilën e ka në posedim që nga viti 2011.

Ministri Lluka nuk e ka më veturën me vlerë 9 mijë euro të cilën e kishte deklaruar në AKK në vitin 2017. Por njëjtë si në vitin 2017 ai vazhdon të posedoj aksione nëpër kompani të ndryshme.

Në “Smart Farms LLC” ai posedon 25 për qind të aksioneve prej të cilave ka deklaruar se përfiton 10 mijë euro, në “Dardanica Group” posedon 50 për qind të aksioneve, nga të cilat ministri Lluka ka deklaruar se përfiton 2,500 euro, në “Big Bang shpk” ai ka deklaruar se posedon 25 për qind të aksioneve kurse në “BI Valoni”, Lluka ka deklaruar se posedon 100 për qind të aksioneve të kësaj kompanie.

Përderisa ministri Valdrin Lluka në vitin 2017 kishte deklaruar se në njërën nga bankat e kryeqytetit ai ka 5 mijë euro, në vitin 2018 kjo vlerë e deklaruar nga ai ka rënë në 3 mijë euro.

Të ardhurat nga paga si ministër i Zhvillimit Ekonomik, Lluka ka deklaruar se ka përfituar 4,150 euro.