Vajza nga Skenderaj hyn në Librin e Guinness-it

Sot në sallën e Kuvendit Komunal, nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, është organizuar ceremonia e prezantimit të Certifikatës së Librit të Rekordeve Botërore “Guinness”, për Arbnorë Fejza-Idrizi, e cila ka thyer rekordin botëror me punimin e lules origami, si lulja më e madhe në botë.

Në njoftimit e Komunës së Skenderajt, Jasahri është shprehur krenar se emri qytetit të Skenderajt është shkruar në Librin e Rekordeve Botërore “Guinness”, pas arritjes së Arbnora Fejza-Idrizi.

“Nuk kam si të mos ndihem i lumtur që jam kryetar i një komune të cilën bota sot e njeh nëpërmjet veprës së Arbnorës. Sot kemi organizuar ceremoni zyrtare të prezantimit të Certifikatës nga Libri “Guinness”, ku i kemi nderuar me mirënjohje ekipin mbështetës të Arbnorës dhe profesorët e saj me të cilët ka realizuar këtë vepër botërore”, është shpehur kryetari.

Arbnorë Fejza-Idrizi me këtë lule me diametër prej 8.7 metrash, mposhti shtetin e Francës, që mbante këtë rekord me lulen origami me diametër prej pesë metrash.

Ajo u shpreh krenare që arriti ta shkruajë emrin e Kosovës në një libër të famshëm si “Guinness”.

“Meqenëse ky art është i zhvilluar vetëm në Japoni dhe në Kosovë nuk njihet, atëherë unë pata fatin që ta prezantoj punën time dhjetë vjeçare në Librin e Rekordeve ku njëkohësisht u zgjodha fituese”, është shprehur ajo.

“Rruga drejt suksesit pa dyshim që ka sfida dhe vështirësi, mirëpo, dëshira dhe ëndrra ime ishte edhe më e madhe se të gjitha vështirësitë që kam hasur deri më tani”, ka thënë Fejza Idrizi, duke u bërë thirrje të rinjve që të punojnë për ëndrrat e tyre.

Në fund të ceremonisë, gjatë të cilës është shfaqur dokumentari i punimit të lules origami, kryetari Jashari ka ndarë mirënjohje për ekipin mbështetës dhe profesorët e Arbnora Fejza-Idrizi.