Tre Aktivistë të VV-së Shoqërohen në Polici

Januz Shatri, Luan Hoti dhe Amir Kuqi, tre aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë shoqëruar në polici gjatë ditës së sotme.

Sipas një njoftimi të Lëvizjes Vetëvendosje, shoqërimi i këtyre tre personave ndodhi, derisa po lexohej vendimi për aktivistët tjerë të LVV-së që po akuzohen për terrorizëm.

“Gjatë leximit të padrejtë, i cili e gjymton rëndë drejtësinë në Kosovë janë arrestuar aktivistët: Januz Shatri, Luan Hoti, Amir Kuqi të cilët e shprehën pakënaqësinë e tyre në lidhje me këtë vendim që shpall fajtorë aktivistët: Adea Batusha, Egzon Haliti, Atdhe Arifi dhe Frashër Krasniqi”, thuhet në njoftimin e VV-së.

KALLXO.com kontaktoi zëdhënësen e policisë, Florie Ahmeti- Haziraj për të pyetur në lidhje me të shoqëruarit në polici.

Sipas Ahmeti- Hazirajt, aktivistët e LVV-së, janë shoqëruar në polici pas kërkesës së gjyqtarit.

“Tre persona janë shoqëruar në polici. Largimi nga seanca dhe shoqërimi i tyre në polici ka ndodhur pas kërkesës së gjyqtarit”, tha Ahmeti.

Gjatë ditës së sotme trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë e shpalli aktgjykimin ndaj katër të dyshuarve për sulmin me mortajë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Ata janë shpallur fajtorë për këtë sulm, duke u dënuar me një total prej 21 vjetësh e 6 muajsh burg.

http://kallxo.com/aktivistet-e-vv-se-shpallen-fajtore-per-sulmin-ne-kuvend/