Thaçi: Në Kosovë Edhe Festohet Edhe Protestohet!

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, u shpreh sonte se nuk është kundër që simpatizuesit e tij të vijnë në Prishtinë për të festuar zgjedhjen e tij eventuale si President pavarësisht një proteste të opozitës të paralajmëruar për nesër.

Duke folur pas njëmbledhje të kryesisë së partisë, Thaçi tha se është e drejtë e çdo qytetari që të festojë e protestojë.

Kryesia e partisë dhe deputetët e PDK-së janë mbledhur në atë që mund të jetë takimi i fundit me Hashim Thaçin si kryetar i partisë.

Zgjedhja e tij si President do të nënkuptojë edhe shkëputjen nga partia të cilën e drejtoi për 16 vjet.

“Dëgjova me vëmendje interesimin e kryetarëve të degëve për pjesëmarrjen masive të njerëzve në Prishtinë nesër, interesimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve te njerëzve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Është e drejtë e çdo qytetari të festojë dhe në të njëjtën kohë është e drejtë e çdo qytetari për të reaguar e protestuar”, tha Thaçi.