Telekomi nuk ia dorëzoi dokumentet e kërkuara për hetim Komisionit Parlamentar

Komisioni Hetimor Parlamentar në mbledhjen e radhës ka shqyrtuar  dokumentacionin e pranuar nga Telekomi i Kosovës për gjendjen e kësaj ndërmarrje.

Kryetari i këtij komisioni, Visar Ymeri, tha se janë bërë tashmë një javë që kanë kërkuar nga kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi dokumente për hetime, por nuk u janë dorëzuar ato.

“Kemi kërkuar gjithë dokumentacion për hetimin tonë, kemi marrë një përgjigje përmes letrës nga Bedri Istrefi në të cilën ai na ka kthy që për shkak të vëllimit të madh që kemi kërkuar dokumente kanë kërkuar zgjatje të afatit shtesë dhe kanë thënë që ka pjesë ku shkelet privatësia”, tha Ymeri.

Ai shtoi se menaxhmenti në letër i ka përmendur ligjet që e ruajnë privatësinë, ku sipas tij kjo po përdoret vetëm si arsyetim.

“Menaxhmenti na ka tregu se çka me bo me dokumente ma jo, për mu është e pa pranueshme, mendoj që kjo ndërmarrje nuk ka nevojë se cilat ligje duhet t`i zbatojë sepse e njohim ligjin na. Unë kam kërku që ato kontrata të sillen sa me shpejtë në komision dhe sa është afati shtesë për kompletimin, dje ka qenë afati i fundit. Nuk kemi dokumente zyrtare  ende nga Telekomit as pas një jave”, tha Ymeri.

Anëtari nga LDK i këtij komisioni, Armend Zemaj tha se neglizhenca nga ana e menaxhmentit të Telekomit po bëhet në mënyrë të qëllimshme.

“Kjo neglizhencë e ka qëllimin e vet dhe stërzgjatjen e afatit dhe pengimin e punës se komisionit. Kisha kërku që t`i dërgoni një letër dhe t’i tregoni për pasojat juridike për pengesë të punës së komisionit sepse çdo pengim i hetimit parlamentar përbënë vepër penale”, tha ai.

Albulena Haxhiu anëtare në këtë komision nga VV tha se letra e dërguar nga Telekomi ku thotë se përbënë çështje konfidenciale, po bëhet për pengim të punës.

Ajo përmendi edhe mos raportimin e kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefi në komisionin për Legjislacion të martën.

“Kjo ka ndodhur edhe në komisionin për legjislacion ka pranu për me ardh, ndërsa pak para fillimit të mbledhjes na tha që nuk do të vijë. Asgjë konfidenciale nuk kemi kërkuar sepse ato kontrata nuk janë top sekrete por po e shoh që kjo ka tendencë”, tha Haxhiu.

Kurse anëtari i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, tha se mos dërgimi i dokumenteve të kërkuara nga ana e Telekomit është e pa pranueshme.

Në fund, kryetari i komisionit hetimor, Visar Ymeri tha se do t’i dërgojnë letër përsëri menaxhmentit të Telekomit dhe t’i  jepet afat deri në javën e ardhshme për dërgimin e dokumenteve.

“Kjo qasje po na shtinë më dyshu qe ka diçka me fsheh, në asnjë mënyrë kjo nuk duhet të përdoret që të mos dorëzohen ato, po i japim afat shtesë që deri të mërkurën ose të enjten të dorëzohen ato dokumente”, tha Ymeri

Ndërsa, pika e dytë e rendit të ditës ku pritet të bëhet shqyrtimi i emrave të eksperteve që do të angazhohen në këtë komision është mbyllur për media.

Në këtë mbledhje kanë munguar deputeti i AAK-së, Shkumbin Demalijaj, deputetja e PDK-së, Blerta  Deliu Kodra, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Haxhi Avdyli nga LDK.