Taksat të Mos Përdoren për Shpenzime të Qeverisë

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në bashkëpunim me fondacionin Friedrich Ebert Stiftung (FES), në një konferencë për media prezantuan raportin “Taksat e Dedikuara në Kosovë – Çka po Marrim në Këmbim të Pagesës?”

Gjatë prezantimit të këtij raporti u tha se taksat e mbledhura në Kosovë duhet fokusuar në trajtimin që institucionet e vendit u bëjnë të hyrave me qëllimin e tyre të dedikuar dhe jo për të rritur shpenzimet e qeverisë.

Dardan Abazi hulumtues nga INDEP-i tha se problematika bazë që ky raport synon ta adresojë është mbledhja e taksave për qëllime të dedikuara dhe më pas rishpërndarja e tyre për qëllime të tjera të duhura.

Ai gjithashtu përmend rastin e taksës ekologjike dhe taksës rrugore që mblidhen për një qëllim të caktuar dhe nuk alokohen për të njëjtin qëllim.

“Kjo praktikë shkel parimin e ekuivalentit në caktimin e taksave dhe tatimeve publike dhe dëmton qytetarët e Kosovës,” tha Abazi.

Learta Hollaj hulumtuese në INDEP tha se sistemi i tanishëm i menaxhimit të financave publike është i centralizuar dhe nuk i përgjigjet nevojës dhe shpenzimeve reale.

“Baza ligjore duhet të sigurojë që qëllimet e mbledhjes së një takse të dedikuar dhe shpenzimet të përputhen. Në këtë mënyrë do të respektoheshin parimet e mbledhjes së taksave të dedikuara, do të mbrohej qytetari dhe do të siguroheshin burime të qëndrueshme dhe të besueshme të financimit të projekteve dhe fondeve në pajtim me prioritetet qeveritare,” tregoi Hollaj.

Ndërsa Besa Luzha koordinatore e programit në Friedrich Ebert Stiftung theksoi që një rol mjaft të rëndësishëm në adresimin e këtij problemi e ka edhe Kuvendi i Kosovës pranë të cilit do të prezantohen dhe të gjeturat e kësaj analize.

Prezantimi u organizua në kuadër të programit të INDEP-it për qeverisje demokratike në vend përmes sigurimit të transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e financave publike dhe u mbështet nga fondacioni Friedrich Ebert Stiftung.