Foto: Facebook/ZPRK.

Learta Hollaj emërohet shefe e stafit të presidentes Osmani

Zyra e Presidentes së Kosovës ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani e ka emëruar Learta Hollaj shefe të stafit të saj.

Hollaj, sipas njoftimit deri më tani ka mbajtur postin e zv/shefes së stafit të presidentes.

Learta Hollaj i është bashkuar ekipit të Presidentes Osmani katër vjet më parë, fillimisht si këshilltare e kryetares së Kuvendit të Kosovës, e pastaj si zëvendës-shefe e stafit të Presidentes.

“Përgjatë kësaj periudhe, angazhimi i znj. Hollaj ka qenë i fokusuar në politikën e jashtme, politikat në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, sektorin e energjisë, si dhe në avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Hollaj ka një përvojë disavjeçare në shoqërinë civile në Kosovë, me ekspertizë në qeverisjen demokratike, sektorin e energjisë, mbrojtjes së mjedisit dhe hulumtimit e avokimit në fushën e politikave publike”- thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Studimet bachelor, znj. Hollaj, i ka mbaruar në RIT Kosova në Prishtinë, ndërsa ato master në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest.