Arkiva | Foto: KALLXO.com

Fatmir Limaj Pyet për 'Takimin e Gjilanit' për Aktakuzën Ndaj Tij

Ekrem Demolli, zyrtar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, e ka përfunduar dëshminë e tij në rastin e MTPT ndaj ish- ministrit Fatmir Limaj dhe katër zyrtarëve të tjerë.

Demolli në seancën e sotme, që ishte e dyta e tij në këtë rast, u mor në pyetje nga i akuzuari Fatmir Limaj dhe avokati i tij Tahir Rrecaj.

Edhe prokurori Charles Hardaway ka parashtruar disa pyetje për dëshmitarin.

Rrecaj e pyeti dëshmitarin se a ka qenë i pranishëm në sallën e gjykimit në këtë rast para se të thirret si dëshmitar.

Demolli tha se ka qenë kur për këtë rast ka dhënë dëshminë ish- drejtori i AKK-së Hasan Preteni.

Rrecaj gjithashtu e pyeti se si është përzgjedhur si dëshmitar i këtij rasti pasi që nuk ka qenë i paraparë në aktakuzë.

Demolli u përgjigj duke thënë së ftesa ka ardhur për institucionin që ai punon.

“Ftesa njëherë ka ardhur për institucionin që unë punoj, prandaj unë jam dëshmitar sepse kjo ka qenë lënda ime njësoj si çdo zyrtar në AKK-së që i ka lëndët e veta”, u përgjigj Demolli.

Kodi i Procedurës Penale të Kosovës përcakton se kur një dëshmitar jep dëshminë e tij, dëshmitarët e tjerë nuk duhet të jenë të pranishëm.

Dëshmitari Demolli nuk ka qenë prej fillimit i paraparë në aktakuzë, por është ftuar vetëm pas dëshmisë së Hasan Pretenit.

Ish Ministri Limaj e ka pyetur Demollin për takimin në Gjilan në mes të zyrtarëve të EULEX-it, denoncuesit të këtij rasti Mehmet Shkodra (tashmë i vdekur), dhe nëse është mbajtur ndonjë procesverbal nga dikush.

Demolli u përgjigj duke thënë së ai aty ka qenë vetëm në cilësinë e vëzhguesit.

“Aty kemi qenë katër persona, Mehmet Shkodra, unë, një zyrtar i EULEX-it dhe përkthyesi. Ftesa për takim ka ardhur nga Mehmeti dhe unë nuk e di zyrtarët e EULEX-it a kanë mbajtur procesverbal apo jo pasi që kanë kaluar disa vite”, u përgjigj dëshmitari.

Limaj e ka pyetur dëshmitarin lidhur me vërtetësinë që AKK-ja ja ka bërë pretendimeve të Shkodrës.

“Nga kjo që dëgjuam nga ju dëshmitar në këto dy seanca a mund të themi së AKK-ja nuk ka mundur t’i vërtetojë pretendimet e Mehmet Shkodrës po vetëm i ka dërguar te EULEX-i”, pyeti Limaj.

“Vërtetësia i takon gjykatës, ne nuk kemi bërë hetim të dokumenteve të prokurimit. Vetëm i kemi marrë konstatimet e Mehmet Shkodrës”, u përgjigj dëshmitari.

Seanca e radhës ndaj këtij grupi do mbahet nesër më dëshmitarin e radhës të prokurorisë, Bekim Shkodra.