Tahirsylaj: Të Premten Nis Ngritja e Temperaturave

Nga e premtja, sipas ekspertit të meteorologjisë Sylë Tahirsylaj, moti në Kosovë do të fillojë të përmirësohet, reshjet do të pushojnë dhe temperaturat ddo të sshënojnë ngritje.

“Nga e premtja rritet temperatura minimale dhe ajo maksimale, ndërpriten reshjet dhe tejkalohet kjo situatë”, parashikoi Tahirsylaj kur foli për KALLXO.com.

Ai tregoi se temperaturat deri të premten do të ulen edhe nën zero.

“Temperaturat më të ulëta do të shkojnë deri në -2 gradë celcius, deri të premten do të jetë situatë e njejtë sinoptike dhe temperaturat maksimale do të shkojnë deri në 7 gradë celsius”, tha Tahirsylaj.

Edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëroi temperatura të pazakonshme për këtë pjesë të vitit deri të shtunën.

“Në viset malore reshjet e shiut do të jenë të shoqëruar me fjolla bore. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 6-16 gradë Celsius”, thuhet në komunikatën e institutit.

Ndërsa Sylë Tahirsylaj bëri të ditur se dëmet në pemëtari dhe kultura bujqësore janë shkaktuar aty ku ka pasur ngrica.

“Reshjet e borës në vendet kodrinore – malore janë të paqëndrueshme. Për prodhimtarinë bimore ka pasur ngrica , brymë, në ato vende ku ka pasur brymë ka dëmtu edhe kulturat bujqësore njëkohësisht edhe pemëtarinë”, tha Tahirsylaj.

KALLXO.com edhe vjet kishte shkruar për borën që kishte rënë në prill kryesisht në vise malore.

http://kallxo.com/bora-e-prillit-qe-nuk-eshte-genjeshter/