Rrugë e mbuluar me borë e ngrica - Ilustrim

Borë dhe ngrica në rrugë, policia apelon për kujdes nga qytetarët

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë lëvizjeve për shkak të ngricave në rrugë, si rezultat edhe i reshjeve të fundit të borës.

Policia kërkon nga shoferët e automjeteve kujdes dhe përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugëve.  

“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”- thuhet në njoftimin e policisë.

Reshjet e fundit dhe temperaturat të ulëta kanë krijuar ngrica nëpër disa rrugë në Kosovë.