Edita Tahiri - Foto: Facebook

Tahiri: Në Bruksel Bisedohet për Gjykatën në Veri

Qeveria e Kosovës ka njoftuar sot se në takimin dyditor trepalësh që do të zhvillohet në Bruksel do të bisedohet për çështjet e drejtësisë dhe kodit shtetëror telefonik të Kosovës.

Mirëpo, udhëheqësja e ekipit negociator të Kosovës, ministrja Edita Tahiri ka sqaruar në një bisedë me KALLXO.com se çka saktësisht do të bisedohet në takimet me palën serbe, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Ajo tha se bëhet fjalë për integrimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Pala e jonë do të raportojë për procesin e integrimit të gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e Kosovës si dhe përgatitjet finale për vendosjen e një gjykate themelore dhe një zyre prokurorie në rajonin e Mitrovicës, që do të veprojnë për shtatë komuna, në bazë të Ligjit për gjykatat të Republikës së Kosovës”, tha Edita Tahiri për KALLXO.com.

Ndërsa, sipas ministres së Dialogut, pala serbe duhet të raportojë për obligimet e veta ndaj kësaj marrëveshjeje që janë shfuqizimi i kontratave të punës për ndaljen e pagave të stafit gjyqësor që më parë kanë punuar në strukturat paralele.

“Pas takimeve do të diskutohen afatet kur duhet të përmbyllet zbatimi i kësaj marrëveshjeje”, tha Tahiri për KALLXO.com

Marrëveshje për Gjykatat ishte nënshkurar në shkurt të vitit të kaluar në takimet në nivel kryeministrash.

http://kallxo.com/mustafa-e-vuciq-pajtohen-per-gjykatat-ne-veri/

Menjëherë pas kësaj marrëveshjeje, Ministria e Drejtësisë së bashku me përfaqësues të gjykatave dhe prokurorisë së Kosovës kishin mbajtur një konferencë për media, ku kishin deklaruar se kjo gjykatë do të funksionojë me ligjet e Republikës së Kosovës dhe se dekretimin e gjykatëseve dhe prokurorëve do ta bëjë Presidenti i vendit.

http://kallxo.com/ja-si-do-te-funksionoje-marreveshja-per-gjykatat-ne-veri/

Po ashtu, ministrja Tahiri tregoi se sot është takuar me drejtoreshën e BE-së për Evropën Perëndimore, Angelina Eichhorst, ku kanë diskutuar në lidhje me rrjedhën dhe rezultatet e dialogut gjatë këtij viti.