Situata në veri, KGJK nuk i trajton dorëheqjet e gjyqtarëve serbë

KGJK mban takim lidhur me situatën e krijuar në lidhje me dorëheqjet e gjyqtarëve serb nga detyra

Këshilli Gjyqësor i Kosovës sot ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm. Sipas komunikatës për media në këtë takim është diskutuar për mbarëvajtjen e gjyqësorit me fokus të veçantë Gjykatën Themelore në Mitrovicë me degët e saj.

Shkas i këtij takimi ku morën pjesë edhe kryetari i Gjykatës Supreme, ai i Apelit dhe nënkryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe partnerët ndërkombëtarë ishin dorëheqjet e disa gjyqtarëve dhe stafit mbështetës nga radhët e komunitetit serb.

Në komunikatë thuhet se Këshilli ka kërkuar nga kryetarët e gjykatave dhe Drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së që si autoritete kompetente të vlerësojnë gjendjen e krijuar dhe të shqiptojnë masa të nevojshme.

Në komunikatë thuhet se në këtë takim Këshilli nuk i trajtoi këto dorëheqje të gjyqtarëve pasi që për ta paraprakisht do të ketë raport vlerësimi.

“Këshilli nuk i shqyrtoi dorëheqjet e gjyqtarëve dhe të punonjësve mbështetës në takimin e sotëm pasi që paraprakisht do të ketë raport vlerësimi nga autoritetet kompetente për përgjegjësinë e të gjitha subjekteve të përfshira në aktivitetet e fundit që ndërlidhen me situatën e krijuar”- thuhet në komunikatë.

Nëpërmjet kësaj komunikate, Këshilli kërkoi nga Qeveria e Kosovës dhe Policia që të ofrojnë siguri për punonjësit dhe objektet në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
“Këshilli kërkon nga Qeveria e Republikës së dhe Policia që menjëherë të vlerësojnë situatën e sigurisë dhe të ofrojnë siguri për punonjësit dhe objektet në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq”- thuhet në komunikatë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme për zhvillimet në veri