Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Sulmohet zyrtari komunal në Mitrovicë

Koordinatori për kthim e ri integrim në Komunë e Mitrovicës, Bedri Sadiku  është sulmuar fizikisht në vendin e tij të punës.

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se Sadiku është kërcënuar dhe sulmuar fizikisht pa ndonjë arsye apo shkas në vendin e tij të punës në ndërtesën komunale, nga qytetari Nazmi Ismajli, icili ishte kthyer më parë nga Danimarka, pasi që autoritetet e këtij shteti e kishin refuzuar kërkesën e tij për qëndrim atje (azil).

“Nazmiu ishte përfshirë në skemën e përfituesve për personat e riatdhesuar sipas Rregullores së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Departamenti për persona të riatdhesuar, në kuadër të MPB-së. Ismajli është i riatdhesuari që ka përfituar më së shumti nga skema e lartpërmendur, pasi që përveç ndihmave të parapara për ushqim, veshmbathje e të tjera, i është paguar qiraja për pesë vjet me radhë, ani pse Rregullorja e lartpërmendur nuk lejon që kjo mbështetje për të riatdhesuarit të jetë më e gjatë se një vit” thuhet në njoftimin e komunës.

Sipas Komunës së Mitrovicës, kur Nazmiu është ftuar për të marrë vendimin mbi ndërprerjen e pagesës së qirasë, që e kishte marrë Komisioni komunal për ri integrim, për shkak se në rastin e tij ishte shkelur rregullorja e lartpërmendur, ai fillimisht e ka ofenduar dhe kërcënuar rëndë verbalisht koordinatorin Sadiku dhe më pastaj edhe e ka sulmuar fizikisht në zyrën e tij.

“Sadiku rastin e ka paraqitur në stacionin jugor të policisë së Kosovës në Mitrovicë, e cila është duke i ndërmarrë procedurat e nevojshme ndaj qytetarit Nazmi Ismajli. Ky person tri javë më parë e kishte kërcënuar rëndë edhe zyrtarin e MPB-së të këtij sektori, Fisnik Leku, i cili punon në të njëjtën zyrë me Sadikun”, njofton komuna.

Rastin e zyrtarit komunal e ka dënuar ashpër ashpër kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i cili ka kërkuar nga policia e Kosovës dhe organet e hetuesisë që të ndërmarrin masa të menjëhershme ligjore ndaj sulmuesit, në mënyrë që rastet e këtilla të mos përsëriten më.

Ndërkaq, nga zyrtarët komunal, kryetari Bahtiri kërkon që të mos dekurajohen nga veprimet e këtilla të papranueshme e të dënueshme të personave të papërgjegjshëm. Përkundrazi, ai nga shërbyesit civilë kërkon të punojnë edhe më me përkushtim për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, gjithnjë duke e zbatuar ligjin dhe rregulloret përkatëse.