Foto: Getty Images/CNN
Identifikohet sulmuesi me thikë në Sidnej
Një sulmues me thikë që vrau gjashtë persona në një qendër tregtare në Sidnej, përpara se të qëllohej për vdekje, u identifikua nga policia e Australisë.
Sipas policisë, bëhet fjalë për Joel Cauchi, 40 vjeç.
Pesë gra dhe një burrë humbën jetën në sulmin e së shtunës. Disa të tjerë, përfshirë një foshnje, u plagosën.
Autoritetet thanë se sulmi ka shumë të ngjarë “të ketë lidhje me shëndetin mendor” të Cauchit.
E pyetur nga gazetarët nëse sulmuesi kishte në shënjestër gratë, komisionerja e Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Karen Webb, tha se ngjarja po hetohet.
Ajo shtoi se nuk do ta përshkruante sulmin me thikë si një “akt terrori”, duke përsëritur se policia beson se ai “nuk ka motive ideologjike”.
Cauchi ishte i njohur për policinë, por kurrë nuk ishte arrestuar apo akuzuar në shtetin e tij të lindjes, Kuinsllend.
Ai, për herë të parë, u diagnostikua me një sëmundje mendore në moshën 17-vjeçare, tha Policia e Kuinsllendit.
Familja e Cauchit i përshkroi veprimet e tij si “të tmerrshme” dhe tha se ai ka pasur probleme të shëndetit mendor “prej se ishte adoleshent”/REL/.