Sindikalistët e Telekomit: Mos të vazhdohet kontrata me Z-Mobile

Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës kanë kërkuar që mos të vazhdohet kontrata mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile, pasi që ajo do të skadojë me 30 korrik të këtij viti.

“Më 30 korrik 2019 skadon kontrata tejet e dëmshme për Telekomin e Kosovës, e lidhur me Z-Mobile vite më parë: – Rrjeti dhe puna jonë, ndërsa tërë fitimi i Z-Mobile;
– Ngarkesat në rrjet dhe degradimi i shërbimeve tona për shkak të shërbimeve jo-konkuruese të Z-Mobile; – Rreth 110 milion € humbje për këto vite nga Z-Mobile;  – Vazhdimi i kësaj kontrate është falimentim për Telekomin e Kosovës dhe humbje e vendeve të punës për punëtorët”, thuhet në një postim në Facebook të kësaj sindikate.

Tutje thuhet se se nëse kontrata do të vazhdohet ata do ta bojkotojnë çdo aktivitet që ka të bëjë me të.

“Prandaj, ne, punëtorë të Telekomit të Kosovës, kërkojmë me çdo kusht që mos të vazhdohet kontrata korruptive ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile. Përndryshe, paralajmërojmë të gjithë se, bazuar në të drejtat tona sindikale të garantuara me ligj, do ta bojkotojmë çdo aktivitet në punë që ka lidhje më këtë kontratë!”, thuhet në reagim.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare, sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

KALLXO.com kishte marrë vesh se Gjykata e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e Z-Mobile ndaj Telekomit të Kosovës lidhur me njohjen e vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit.

Gjykata e Arbitrazhit kishte vendosur që Telekomi obligohej t’i paguante Z-Mobile-it shumën prej mbi 30 milionë eurove, përfshirë këtu edhe kamatën e cila pritet të përcaktohet.

https://kallxo.com/gjykata-i-hap-rruge-permbarimit-te-30-milioneve-te-telekomit/

https://kallxo.com/z-mobile-i-kerkon-gjykates-ta-detyroje-telekomin-te-paguaje-rreth-30-milione-euro-gjobe/

Prapaskenat Juridike të Marrëveshjes ‘Z-Mobile’ – Telekomi i Kosovës