Pas raportimit të KALLXO.com, ‘Shota’ anuloi kontratën për vallen ‘Peshkatari’

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve, “Shota” ka shkëputur kontratën e lidhur me koreografin Haki Mulliqi për shfaqjen “Peshkatari”.

Shkëputaj e kësaj kontrate u bë pas raportimit të KALLXO.com, se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit – APK (Agjencia Kundër Korrupsionit) kishte konstatuar se kontrata e lidhur në mes të koreografit Mulliqit dhe drejtorit Xhemajli, për realizmin e kësaj shfaqje përbënte konflikt interesi.

KALLXO.com ka siguruar një kopje të vendimit të drejtorit të AKKV, “Shota” Mehmed Xhemajli, lidhur me shkëputjen e kontratës për shfaqjen  e valles “Peshkatari”.

“Kontrata me numër të Protokollit 184/2023 e datës 09.10.2023 e lidhur në mes të AKKV ‘Shota’ dhe koreografit Haki Mulliqi, për rivënien në skenë të koreografisë ‘Vallja e Peshkatarit’, shfuqizohet për shkak të konfliktit të interesit, sipas vendimit me Nr. Prot. 63/2024 të datës 12.01.2024 të APK-së”- thuhet në vendimin e nënshkruar nga drejtori Xhemajli, më datë 14.02.2024.

Kopja e vendimit të AKKV ‘Shota’ për anulimin e kontratës për vallen ‘Peshkatari’.

Më 12 shkurt 2024, KALLXO.com raportoi se APK-ja kishte konstatuar se kontrata e lidhur më 09.10.2023, në mes të menaxhmentit të “Shotës” dhe Mulliqit, bie ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. AKP kishte kërkuar anulimin e kontratës për vallen “Peshkatari”.

“Ekziston konflikt i interesit pasi Mulliqi në cilësinë e anëtarit të Këshillit Drejtues (KD) të AKKV “Shota” ka lidhur kontratë me institucionin ku ushtron detyrën publike si dhe ka marrë pjesë në vendimmarrje në konflikt të interesit, duke rënë ndesh me nenin 13 paragrafi 3, neni 17, paragrafi 1, lidhur më nenin 6 dhe nenin 3 paragrafi 1, nënparagrafi 1.2, 1.6 dhe 1.12, të ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”- kishte konstatuar ndër të tjera APK-ja.

Koreografi Mulliqi dhe drejtori Xhemajli patën deklaruar për KALLXO.com, se nuk ishin në dijeni se marrëveshja për rikthimin e valles “Peshkatari” në repertorin e ansamblit, 21 vjet pasi ishte realizuar në ansambël përbënte konflikt interesi.

Mulliqi, anëtar i KD-së të AKKV “Shota”, deklaroi për KALLXO.com se rikthimi në skenë i valles “Peshkatari” (Vallja e peshkatarit) është bërë pa kompensim financiar. “Unë nuk kam realizuar shfaqje në Ansamblin “Shota”, unë vetëm kam ndihmuar në ri-inskenimin e një koreografie e cila ka qenë në repertorin e ansamblit”- ka thënë Mulliqi.

Ndërsa, drejtori i AKKV “Shota” Mehmed Xhemajli pati thënë për KALLXO.com se rikthimi i valles “Peshkatari” është bërë në kuadër të planeve të “Shotës” për të rikthyer të gjitha vallet në repertorin e ansamblit. “Edhe ‘Vallja e Peshkatarit’ ka qenë pjese e repertorit të Ansamblit “Shota”, por është dashtë të hartohet kontrata në mënyrë që e njëjta të jetë aset i ansamblit pa ndonjë afat të caktuar”- pati thënë ai.

Xhemajli pati thënë se ri-inskenimi i valles nuk ka pasur implikime financiare dhe për këtë kanë menduar se nuk përbënte konflikt interesi.