Ministri në Komisionin për Legjislacion| Foto: KALLXO.com

Shumë Pyetje për Ministrin Rreth Marrëveshjes së Drejtësisë

I ftuar që të raportojë në Komisionin për Legjislacion rreth marrëveshjes për drejtësinë të nënshkruar në dialogun e Brukselit në vitin 2015, ministri Abelard Tahiri u përball me shumë, pyetje për edhe me debate, kryesisht me opozitarët e komisionit.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu teksa e konsideroi marrëveshjen jokushtetuese, tha se me të Kosova do të ketë dy sisteme.

Haxhiu deklaroi më tutje se ka informata që betimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të punojnë në veri të vendit, nuk është bërë siç bëhet në rastet tjera.

Ajo tha se ka siguruar dokumente, sipas të cilave do të njihen të gjitha vendimet e gjykatave paralele, ndërsa u ankua se ato po mbahen sekrete.

“Nëse ky kish qenë proces i drejtë, pse ka nevojë që dokumentet e tilla të mbesin sekrete. Shqetësuese që te njihen të gjitha vendimet e strukturave paralele”, tha Haxhiu.

Por ministri Tahiri mohoi se ka marrëveshje që të njihen vendimet e gjykatave paralele në veri.

“Nuk ka kurrfarë marrëveshje për aktgjykimet që ti thua se do të implementohet në Kosovë. Mos dezinformo”, u përgjigj Tahiri, duke treguar se rekrutimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka shkuar sipas ligjeve në fuqi dhe kushtetutën e vendit.

Anëtari i komisionit Arben Gashi tha se deputetët kanë të drejtë të pajisen me secilin dokument shtetëror që kërkojnë, përveç nëse ato nuk janë të klasifikura si dokumente sekrete, ndërsa Sami Kurteshi i kërkoi nga ministri emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të dekretuar sot në bazë të marrëveshjes.

“Unë nuk jam marrë me secilin prej tyre, sa i përkët përbërjes etnike, por nga emrat e shoh që ka përbërje etnike të të gjithëve: romë, ashkalinj, turq, boshnjakë”, tha Tahiri.

Në një moment Tahiri iu drejtua anëtarëve të komisionit me fjalët se marrëveshjen nëse e konsideroni antikushtetuese mund ta dërgoni në Gjykatën Kushtetuese, por Albulena Haxhiu tha se Kushtetuesja nuk e kishte trajtuar marrëveshjen e 13 prillit, ngase kishte thënë se nuk është kompetente për marrëveshjet ndërkombëtare.

Debati u lëshua edhe në “beteja” personale. Sami Kurteshi i tha ministrit Tahiri “a guxoni me shku ju me targa KS si në krejt pjesët e Kosovës atje [në veri]?

“Unë kam qenë disa herë, edhe në kapacitet privat se kam familjarë dhe nuk ka kurrfarëë problemi. A tutën s’mund t’ia hjekim tash kurrkujt”, tha ministri Tahiri.

Bilall Sherifi pyeti pastaj nëse të dekretuarit e kanë dhenë provimin e jurisprudencës, ndërsa ministri Tahiri tha se nuk beson që KGjK-ja ka rekrutuar njerëz që nuk e kanë këtë provim.

Ndërsa Korab Sejdiu kërkoi të dijë nëse ministri është i vetëdijshëm se me marrëveshje duhet ndryshuar disa ligje, e edhe atë për gjykatat.

“Sa i përket ligjit për gjykata është në kuadër të agjendës legjislative plotësimi i tij”, tha Tahiri.

Ndërsa Glauk Konjufca iu kthye edhe një herë aneks-dokumentit të marrëveshjes së drejtësisë që përmendi Albulena Haxhiu, e sipas të cilit do të njihen vendimet e gjykatave paralele.

“Aty në dokumentin qe e ka siguru kryetarja e komisionit, po tregon që njihen aktgjykimet e institucioneve ilegale në Republikën e Kosovës. A është ky dokument i vërtetë? Dhe, a njihen aktet e institucioneve që kanë funksionu si institucione ilegale?”, pyeti Konjufca.

Nuk dua ta komentoj dokumentin, u përgjigj ministri Tahiri.