Komisioni parlamentar për legjislacion inicion procedurën e shkarkimit të anëtarit të KPK-së Agron Bekës, reagon KPK

Në mbledhjen e mbajtur sot, Komisioni parlamentar për legjislacion ka marrë vendim për inicim të procedurave të shkarkimit të anëtarit të KPK-së, Agron Beka.

“Me 7 vota pro dhe 1 kundër është marrë vendimi për inicim të shkarkimit” – ka njoftuar për KALLXO.com koordinatori i këtij Komisioni, Visar Krasniqi.

“Po ashtu Komisioni mori vendim për inicimin e procedurës së shkarkimit të një anëtari joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK)” – thuhet në njoftimin e sotëm të Komisonit mbi mbledhjen e mbajtur.

Për inicimin e shkarkimit të Bekës ka reaguar Këshilli Prokurorial, duke thënë se me shqetësim të thellë e ka pranuar miratimin e rekomandimit të Komisionit në fjalë, për anëtarin e tij.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK)-së njofton opinionin publik se ka pranuar me shqetësim të thellë informacionin se është miratuar rekomandimi i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kuvendit të Kosovës për inicimin e shkarkimit të anëtarit të KPK-së, Agron Beka, që vije nga radhët e fakulteteve juridike“- thuhet në njoftimin e Këshillit.

KALLXO.com ka kontaktuar anëtarin e këtij Komisioni, Hajdar Beqa, i cili ka thënë se personalisht e ka pasur mendimin se është dashur të verifikohen provat dhe argumente shtesë mbi bazat për dyshime të shkeljeve nga anëtari i KPK-së, Agron Beka.

Deputeti Beqa njoftoi se në mbledhjen e sotme, kryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, ka prezantuar një letër në të cilën janë paraqitur disa emisione të caktuara.

Beqa tha se kishte kërkuar që të caktohet një mbledhje tjetër për çështjen në fjalë.

Kallxo.com është munduar të kontaktojë me kryesuesin e Komisionit por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli ai ka qenë i paqasshëm.

Këshilli Prokuorial tutje ka njoftuar se nesër, më 29 shtator, do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën do të njoftohet opinioni mbi qëndrimet e Këshillit mbi rastin.