KPK e quan tendencë politike vendimin e komisionit parlamentar për inicimin e shkarkimit të anëtarit Agron Beka

Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e jashtëzakonshëm të mbajtur të premten më 29.09.2023 e ka cilësuar miratimin e vendimit të Komisionit parlamentar për Legjislacion për inicimin e procedurave për shkarkim të anëtarit të KPK-së Agron Beka “veprim të ngutshëm”, “ tendencë të hapur politike për të ndërhyrë në funksionimin e rregullt dhe cenimin e mandatit kushtetues dhe ligjor të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”.

Për më tepër KPK-ja përmes të njëjtës komunikate e ka akuzuar kuvendin se nuk i ka shqyrtuar të gjitha provat, të cilat janë relevante për këtë iniciativë të tyren, prova këto, të cilat, sipas KPK-së, anëtari i saj Agron Beka, i ka ofruar në takimin e jashtëzakonshëm, të cila ky organ i ka vlerësuar se i demantojnë plotësisht të gjitha pretendimet e potencuara nga komisioni.

Në shkresë përmendet se në mesin e “shumë provave voluminoze” që ofroi z.Beka ishin edhe disa dëshmi të komunikimit zyrtar me zyrtarët e lartë dhe kompetentë në institucione shtetërore, të cilët, sipas KPK-së, ka më shumë se një vit që janë njoftuar mbi keqpërdorimet në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. I njëjti organ i ka akuzuar këta zyrtarë për të cilët nuk ka ofruar asnjë të dhënë se nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ligjor për t’i parandaluar pasojat negative evidente.

Takimi i udhëhequr nga kryesuesi Jetish Maloku ka konstatuar se prezentimi i provave të lartëcekura demanton të gjitha pretendimet e komisionit.

Për më tepër KPK-ja e ka konsideruar komisionin jokompetent për të shqyrtuar shkeljet e mundshme nga anëtarët e tij.

“Hipotetikisht, edhe po që se do të kishte shkelje, qoftë edhe në të ardhmen nga ndonjë anëtar i KPK-së, organi apo institucioni i vetëm kompetent (në bazë të legjislacionit në fuqi) për t’i shqyrtuar shkeljet eventuale është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mekanizmat e tij, si institucion kushtetues dhe i pavarur”- thuhet në komunikatë.