Pamje nga seanca e gjykimit ndaj drejtorit të Qendrës së Mjekësisë Sportive, Shkëlzen Rexhaj – Foto: KALLXO.com

Shtyhet Gjykimi ndaj Drejtorit të Qendrës së Mjekësisë Sportive

Në gjykimin ku Prokuroria pretendon se Qendra e Mjekësisë Sportive është dëmtuar në vlerë prej 1,415 euro, mungoi prokurorja Habibe Salihi.

Gjyqtari i rastit, Hamdi Ibrahimi, bëri të ditur se ftesa e dërguar në Prokurori ishte në rregull, derisa Prokuroria i kishte kthyer përgjigje se numri i lëndës i paraqitur në ftesë është gabim.

Po ashtu, prokurorja Salihi nuk ishte paraqitur as në seancën e kaluar, e cila ishte paraparë të mbahej në maj të këtij viti.

Në këtë seancë parashihej që palët të deklaroheshin rreth pranimitë të fajësisë.

Në këtë rast, i akuzuari Rexhaj ngarkohet me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, i pandehuri e ka kryer veprën që i ngarkohet mes viteve 2011-2014, në cilësinë e personit zyrtar – drejtor në Qendrën e Mjekësisë Sportive.

Po ashtu, sipas aktakuzës, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete, i akuzuari ka inkasuar të holla të cilat i ka përvetësuar për vete.

Më pas, aktakuza sqaron se me rastin e kontrollimit sistematik të sportistëve, të hollat nuk i ka deklaruar fare. Si rezultat, Prokuroria pretendon se dëmi i shkaktuar Qendrës së Mjekësisë Sportive arrin shumë 1,415 euro.