Rigjykimi i ish-inspektorëve të Komunës së Fushë-Kosovës, të akuzuarit presin të shpallen sërish të pafajshëm

Seanca e rigjykimit të ish-inspektorëve të ndërtimit të Komunës së Fushë-Kosovës të akuzuar për keqpërdorim të detyrës është shtyrë për javën e ardhshme.

Në këtë rast të akuzuar janë Afrim Krasniqi, Valbona Ferati-Morina, Doruntina Dumani-Olluri, Mobere Hyseni.

Të pandehurit ishin liruar nga akuzat në korrik të vitit 2022.

Në seancën e sotme ata u shprehën se ndihen të pafajshëm lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ta.

Prokuroria pretendon se ata i kishin mundësuar një investitori ndërtime në mënyrë të kundërligjshme.

Prokurorja e çështjes, Merrushe Llugiqi, në fjalën hyrëse deklaroi se mbetet pranë fjalës së saj hyrëse të dhënë më 3 qershor të vitit 2021. Ajo shtoi se edhe në këtë rigjykim do të vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprën penale.

Edhe mbrojtja e të akuzuarve u shpreh se në këtë rigjykim do të vërtetohet aktgjykimi lirues i Gjykatës Themelore, ngase sipas avokatëve nuk ishin përmbushur elementet e veprës penale me të cilat akuzohen klientët e tyre.

Mbrojtësi i të pandehurës Mobere Hyseni, avokati Egzon Lajqi, u shpreh se do të vërtetohet se klientja e tij është e pafajshme dhe se aktgjykimi lirues i Themelores ka qenë i ligjshëm dhe i drejtë ngase nuk kishin ekzistuar elementet e veprës penale.

Tutje, edhe avokatja mbrojtëse e të pandehurës Doruntina Olluri, Emine Bajrami, theksoi në fjalën e saj hyrëse se aktakuza e Prokurorisë  nuk përmban përshkrimin faktik, i mungon baza faktike që është kusht për një aktakuzë të ligjshme.

Avokati Driton Musliu, i cili mbron të pandehurën Valbona Ferati, u shpreh se në këtë lëndë që është duke u trajtuar mungojnë elementet si dashja, motivi, dëmi dhe përfitimi si kusht për t’u cilësuar një vepër penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare. Këto elemente, sipas tij, mungojnë në dosjen e Prokurorisë sepse nuk ekzistojnë.

Mbrojtësi i të pandehurit Afrim Krasniqi, avokati Arbër Guta, u shpreh se nuk mund të ushtrohet mbrojtje efektive pa u pajisur me shkresat e lëndës.

Për këtë, ai propozoi shtyrje të seancës, e cila nuk u kundërshtua nga prokurorja e çështjes Merrushe Llugiqi dhe u miratua nga trupi gjykues i përbërë nga Gëzim Ademi kryesues, dhe Gazmend Bahtiri dhe Alltën Murseli anëtarë.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 12 korrik.

Çka thotë aktakuza për të pandehurit në këtë çështje?

Sipas aktit akuzues të dhjetorit të vitit 2016, të pandehurit në fjalë kishin keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë periudhës kohore 2015-2016, pasi duke qenë në cilësinë e inspektorëve të ndërtimit nuk kishin përmbushur detyrat zyrtare duke i mundësuar investitorit “Princesha Construction” të vazhdojë punimet në mënyrë të kundërligjshme.

Të pandehurat Valbona Ferati dhe Doruntina Dumani akuzohen se kanë hartuar procesverbale dhe vendime për rrënim dhe në atë jo në fazën e hershme të ndërtimit por e kanë bërë në fazën e avancuar të ndërtimit.

Lidhur me këto veprime, sipas prokurorisë ka qenë i informuar edhe drejtori i Departamentit të Inspeksionit, i cili pavarësisht kësaj nuk kishte ndërmarrë asgjë për ta parandaluar ndërtimin e kundërligjshëm.

Të pandehurat Mobere Hyseni dhe Doruntina Dumani akuzohen se në cilësinë e inspektoreve të ndërtimit gjatë vizitës së punishtes më 30 maj të vitit 2014, kanë marrë pjesë në vendosjen e pikave të ndërtimit për ndërtimin e objektit sipas lejes ndërtimore, dhe kanë bërë zhvendosjen e këtij objekti nga pikat e parapara sipas lejes të lëshuar nga Drejtoria për Planifikim Urban të Komunës së Fushë-Kosovës.

Çka kishte vendosur për këto akuza Gjykata e shkallës së parë më 13 korrik 2022?

Gjykata Themelore, me përbërje të trupit gjykues Naime Krasniqi – kryesuese, Medije Bytyqi dhe Agim Kuqi anëtarë, i kishte liruar të pandehurit nga akuzat, me arsyetimin se nuk ishte provuar se kishin kryer veprën penale që u vihej në barrë.

Kjo Gjykatë kishte vlerësuar se pas procedimit të provave materiale dhe shfrytëzimit të të gjitha fakteve nuk kishte pasur prova se të akuzuarit kishin kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Por ky aktgjykim u anulua nga Gjykata e Apelit në nëntor të vitit 2022.

Lirimin nga akuzat për këta të pandehur, Gjykata e Apelit në vlerësimin e saj i kishte konsideruar si shkelje esenciale  të procedurës penale, shkelje të Ligjit penal dhe vërtetim të gabuar ose jo të plotë – shkelje të cilat i kishte ngritur si pretendime Prokuroria në ankesën e saj në këtë Gjykatë.

Pretendimet ankimore të Prokurorisë ndaj aktgjykimit lirues sipas Apelit janë të bazuara.

Sipas dosjes së kësaj Gjykate, Gjykata e shkallës së parë ka dështuar të paraqesë në mënyrë të qartë dhe të plotë se cilat fakte i ka vërtetuar apo jo, duke mos dhënë kështu arsye të mjaftueshme mbi rrethanat e dispozitivit të aktgjykimit.

Ky rast është kthyer në rigjykim dhe rivendosje nga Apeli, me trup gjykues të përbërë nga Xhevdet Abazi – kryesues dhe Afërdita Bytyqi e Tomisllav Petroviq në nëntor të vitit 2022.