Dhurata Hoxha (25.07.2023) Foto- Laurant Berisha

Foto: KALLXO.com

Ish-ministrja Dhurata Hoxha në gjyq, akuzohet se paratë e Ministrisë i përdori për promovimin e saj në fushatë zgjedhore

Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi, Fitim Mustafa dhe Ekrem Tahiri dolën sërish para Gjykatës për t’u përballur me akuzat për keqpërdorim e ndihmë në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, mjetet e buxhetit të shtetit që ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave, kishin përfunduar duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Në këtë rast në cilësi të dëshmitarit u ftua që të japë versionin e tij lidhur me këtë rast Ilir Muqaj, i cili punon në Qeverinë e Kosovës që nga vitit 2010.

I njëjti gjatë dëshmisë së tij deklaroi se ka qenë pjesë e komisionit vlerësues për realizimin dhe implementimin e kontratës në Ministrinë e Integrimeve Evropiane dhe kompanisë “PR Solution”.

Muqaj në pyetjet e prokurores deklaroi se në këtë komision janë  mbajtur tri takime dhe ato me datën 12, 16 dhe 19 dhjetor të vitit 2019.

Dëshmitari deklaroi se në takimin e parë ishin refuzuar shqyrtimi i dokumenteve për 17 portale, dokumente që i kishte dorëzuar menaxheri i projekteve. Arsyeja e refuzimit kishte qenë mungesa bazike e dokumentacioneve.

Për  dallim prej takimit të parë dhe të dytë në takimin e tretë Muqaj tha se menaxheri i kontratës i kishte sjellë të gjitha dokumentacionet e nevojshme ashtu siç ishte kërkuar në takimin paraprak të komisionit vlerësues.

“Menaxheri i kontratës i ka sjellë ato që janë kërkuar prej neve, raportet e klikimeve, banerat, dokumentacionet e kërkuara i kanë sjellë me vulë origjinale, të vulosura, ne i kemi pranuar të gjitha këto, e kemi njoftuar edhe sekretarin e Ministrisë edhe normalisht për sqarim “Pr Solution” ka garantuar se të gjitha vulat dhe nënshkrimet janë origjinale”- tha Muqaj.

“Të gjitha këto dokumentacione ne si komision kemi vlerësuar se janë në përputhje me faturën”- u përgjigj Muqaj në pyetjen e prokurores Ilirjana Çollaku- Tafa lidhur me atë se çka keni konstatuar ju si anëtar i komisionit.

Gjatë dhënies së dëshmisë së Muqajt, prokurorja Çollaku- Tafaj pati një polemikë me gjyqtarin e rastit, Vesel Ismaili.

I tërë ballafaqimi mes tyre filloi në momentin kur prokurorja pretendoi se gjyqtari Ismaili dhe mbrojtësja e të akuzuarit Gëzim Dushi, Kosovare Kelmendi, po i ndërhynin në punën që ishte duke e bërë.

 

Pasi që prokurorja nuk ishte e kënaqur me përgjigjet që ishte  duke i marrë nga dëshmitari, ajo kërkoi nga Gjykata që t’i krijohen kushtet për mbajtjen e seancës pas këtyre ndërhyrjeve.

E nga ana e trupit gjykues pyetjet e prokurores u konsideruan si të përsëritura.

“Po i përsërit pyetjet oj prokurore, je ka i përsëritë pyetjet vazhdimisht”- ishin fjalët e kryetarit të trupit gjykues.

Kurse mbrojtësja, Kosovare Kelmendi, mohoi të kishte ndërhyrje nga ana e mbrojtjes lidhur me këtë rast.

E njëjta tha se asnjëherë nuk kishte ndërhyrë e as nuk e kishte marrë fjalën pa leje të trupit gjykues.

Kurse Gjykata në mënyrë unanime mori vendim se nuk kishte konstatim se mbrojtësja Kelmendi ka bërë ndonjë pengesë në kryerjen e punës së prokurores në këtë seancë.

Trupi gjykues i tërhoqi vërejtjen prokurores se po thoshte gjëra të paqena.

“Trupi gjykues unanimisht merr aktvendim: Nuk ka konstatim se mbrojtësja e të akuzuarit Gëzim Dushi ka bërë ndonjë pengesë në kryerje e punës së prokurores në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor. Andaj i tërhiqet vërejtja e fundit prokurores që të ngritët dhe të deklarojë gjëra të paqena”- ishte vendimi i Gjykatës.

Mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit, të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave, përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Kështu përshkruhet në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale përmes së cilës për afera korruptive po akuzohen ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe zyrtarët e tjerë të kësaj Ministrie, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Këto mjete kishin përfunduar në llogaritë e disa portaleve përmes kompanisë “PR Solutions”, e cila e kishte marrë kontratën “Informimi i publikut për nevojat e MIE-së”.

Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, të cilat kishin alarmuar Prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo Ministri.

Në aktakuzën e PSRK-së përshkruhet se kompania, e cila ishte më e lira dhe që i kishte përmbushur të gjitha kriteret, ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme nga procesi i tenderimit. Për këtë arsye për keqpërdorim të detyrës po akuzohet Fitim Mustafa, i cili ishte shef i prokurimit në MIE.

Ai po akuzohet se është përfshirë në afera korruptive në momentin kur e ka shpallur fituese kompaninë “PR Solutions” dhe jo kompaninë e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë.

Sipas Prokurorisë “N.Sh. 2B”, ishte eliminuar nga gara në mënyrë të kundërligjshme edhe pse i kishte plotësuar të gjitha kriteret bazë të tenderit dhe ishte për 192 mijë euro më e lirë se sa kompania e cila në fund u shpall fituese.

Kontrata me kompaninë “PR Solutions” ishte nënshkruar nga ish-ministrja Dhurata Hoxha, e cila po akuzohet se i kishte shfrytëzuar mjetet e Ministrisë për promovimin e fushatës zgjedhore.

Hoxha po akuzohet se kontratën që kishte për qëllim informimin e qytetarëve për procesin e liberalizimit të vizave e kishte përdorur për publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që përmbanin të arriturat dhe vizionin e saj. Dëmi që Hoxha ia ka shkaktuar buxhetit të Kosovës përshkruhet të jetë mbi 140 mijë euro.

Ndërsa Gëzim Dushi akuzohet se kishte lejuar zbatimin e këtyre video-spoteve dhe banerëve ndonëse ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.

Në lidhje me zbatimin e kësaj kontrate po akuzohet edhe pronari i “PR Solutions”, Ekrem Tahiri, i cili përshkruhet se kishte bërë promovimin e fushatës zgjedhore të kandidates Dhurata Hoxha edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e ofruara ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.