Gjykimi i ish-zyrtarëve të Ministrisë të dyshuar për aferën me patentë shoferë, dëgjohen dy dëshmitarë

Ish-ushtruesi i detyrës i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, ish-drejtori i Departamentit të automjeteve, Kadri Krasniqi dhe ish-këshilltari politik i Ministrisë, Pjetër Ndou, dolën edhe një herë tjetër para Gjykatës për t’u përballur me akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Shatri e Krasniqi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kurse Ndou për ushtrim ndikimi.

Rasti ka të bëjë me keqpërdorime të dyshuara të kalimit të testeve për patentë shoferë, me punësim dhe tenderë.

Gjykimi ndaj tyre filloi rishtazi meqë anëtari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti, është avancuar në Departamentin special dhe në vend të tij si anëtar i trupit gjykues është caktuar Ertan Sejfulla. Gjykimi udhëhiqet nga gjyqtarja Fatime Dermaku.

Meqë gjykimi filloi rishtazi palët u deklaruan se pajtohen që të konsiderohen të lexuara veprimet procedurale të ndërmarra më parë.

Pas kësaj, gjykimi vazhdoi me dëgjimin e dy dëshmitarëve, Njomza Beqiri, e cila ishte zyrtare ligjore gjatë vitit 2017-2018.

E njëjta pranoi se ka pasur kërkesa për opinione ligjore lidhur me pyetësit teorikë dhe praktikë.

Këto kërkesa, sipas dëshmitares, kanë qenë se a duhet të kompensohen pyetësit e angazhuar nga Ministria e Infrastrukturës, ani pse ata kishin kryer shërbime dhe nuk kishin pasur kontrata.

Sipas opinionit të zyrtares ligjore do ishte e padrejtë që për shkak se nuk kanë pasur kontrata të mos kompensohen personat.

Radha për të dëshmuar i erdhi dëshmitarit Agim Kryeziu, i cili ishte anëtar i komisionit në lidhje me pyetësit teorikë e praktikë.

I njëjti tha se qëndron në tërësi pranë deklarimit të dhënë në Polici.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast është caktuar të mbahet më 20 shkurt të këtij viti.

Nebih Shatri akuzohet se duke qenë u.d. Sekretar i Përgjithshëm i kësaj Ministrie, nuk ka lidhur kontrata me dhjetëra ekzaminues për patentë shoferë, të angazhuar në Ministri dhe nuk kishte zhvilluar procedurë rekrutimi për ta.

Dosja e Prokurorisë thotë se veç kësaj ai kishte ndryshuar edhe emrat e ekzaminuesve që i kishte propozuar drejtori i Departamentit për patentë shoferë.

Ndërsa, Kadri Krasniqi akuzohet se kishte lejuar hapjen e konkursit për provimin për licencimin për ekzaminues, në dijeni të të akuzuarit Nebih Shatri, pa planifikim paraprak.

Për ushtrim ndikimi në këtë rast akuzohet Pjetër Ndou, i cili ka qenë këshilltar politik në këtë Ministri.

Dosja e Prokurorisë thotë se ai ka ndikuar te ministri i atëhershëm Pal Lekaj dhe zyrtarët e Ministrisë që persona të caktuar të kalojnë provimin teorik për patentë shoferë.

Tutje ai akuzohet se ka ndikuar edhe në një tender që një operator ekonomik të fitojë linjën e transportit, dhe një ndikim tjetër në përzgjedhjen e kandidatëve për ekzaminues.

Periudha kohore e kryerjes së këtyre veprave penale, sipas Prokurorisë, dyshohet të jetë periudha 2016-2018.

Për këtë rast janë 19 dëshmitarë të cilët do të dëgjohen dhe në mesin e provave ka edhe raporte të përgjimeve.

Kujtojmë që Nebih Shatri është njëri nga katër të akuzuarit e rastit të 53-milionëshit. Shatri akuzohet për keqpërdorim të detyrë zyrtare në bashkëkryerje dhe është shpallur fajtor.