Foto-ilustrim

Shtatë Qendra të Ndalimit Policor pa Kamera Sigurie

Inspektorati Policor i Kosovës në një raport për kushtet e sigurisë të publikuar në faqen e tij të internetit konstaton se nga 15 qendra të ndalimit policor, në shtatë prej tyre nuk ka kamera sigurie.

“Sa u përket kushteve të sigurisë inspektimi ka treguar se nga pesëmbëdhjetë (15) qendra ndalimi, në gjashtë (6) nga to janë funksionale kamerat e sigurisë, dy (2) prej tyre nuk e kanë në funksion këtë kontroll, kurse shtatë (7) nga to nuk kanë fare të vendosur sistemin e kamerave,” shkruhet në raportin e inspektimit të IPK-së.

Raporti i IPK-së tregon se gjatë kontrollit të qendrave të ndalimit në lokacione të ndryshme të Kosovës është vërejtur se në disa prej tyre ka mungesë të mjeteve mjekësore.

Në Leposaviq, IPK-ja ka parë që stacioni policor nuk është i pajisur me sirtarë për vendosjen e gjësendeve me vlerë të personave të ndaluar, ndërsa në Istog sipas IPK-së, qendra e ndalimit policor grilat i ka të vendosura shumë afër dritareve, të cilat mund të thuhen dhe të lëndojnë personat e ndaluar.

Ky inspektim sipas raportit të IPK-së është i datës 30 nëntor 2016.

Gjatë Inspektimit janë vizituar stacionet policore në kuadër të Divizionit të Sigurisë Publike dhe stacionet policore Kufitare në kuadër të Divizionit të Kontrollit dhe Mbikëqyrjes së Kufirit.

Qendrat e ndalimit policor janë hapësira në të cilat vendosen personat e arrestuar nën dyshime të bazuara se mund të kenë kryer ndonjë vepër penale.

Ndalimi policor bëhet me urdhër të organeve kompetente dhe nuk mund të kalojë afatin e përcaktuar kohor prej 48 orësh.

Këto qendra të ndalimit ndodhen në objektet policore dhe administrohen nga zyrtarët policorë.

Pas vdekjes së Astrit Deharit, aktivistit të Vetëvendosjes që po mbahej i paraburgosur në Prizren si i dyshuar për sulmin e gushtit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, Jeta në Kosovë zhvilloi debat për gjendjen në burgjet e Kosovës.

Nga debati doli se në Qendrën e Paraburgimit në Prizren gjatë vikendeve nuk kishte mjek kujdestar.

http://kallxo.com/burgu-ne-prizren-nuk-pati-doktor-per-astrit-deharin/