Kabuli. Foto: BETA/Massoud Hossaini/AP.

Shpërthimi Dëmton Ambasadën Bullgare në Kabul

Shpërthimi vdekjeprurës i së mërkurës në kryeqytetin afgan, Kabul, i cili vrau të paktën 80 vetë, shkaktoi dëme materiale në ambasadën bullgare aty pranë, tha Sofja në një deklaratë.

“Autoritetet lokale kanë izoluar zonën. Rrethanat pritet të sqarohen”, shtoi Ministria e Jashtme, duke shpjeguar se nuk ka prova të një shënjestre ndaj misionit diplomatik.

Ministri bullgar i Mbrojtjes Krasimir Karakachanov i tha Nova TV se kishte pasur një plan për të evakuuar stafin diplomatik.

Shpërthimi i fuqishëm ndodhi në afërsi të ambasadës gjermane në sheshin Zanbaq rreth orës 8.30.

“Ishte një bombë në makinë në afërsi të ambasadës gjermane, por ka edhe zyra të tjera të rëndësishme pranë saj. Është e vështirë të thuhet se cili ishte objektivi i saktë”, tha për Reuters Basir Mujahid, një zëdhënës i Policisë në Kabul.

Asnjë organizatë nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës.

Megjithatë, në fund të prillit, kryengritësit talebanë lajmëruan se do të ndërmerrnin një ofensivë në pranverë, e cila do të përqendrohej te forcat e huaja me anë të sulmeve konvencionale, guerile dhe vetëvrasëse.