Magazina e deputetit Bujar Çela, që ishte në ndërtim e sipër, shkatërrohet nga një shpërthim i fuqishëm në Lushnjë, Shqipëri, 1 mars 2024. - Foto: Jetmira Delia-Kaci / REL

Deputeti Çela dyshohet për tri vepra penale për shpërthimin vdekjeprurës në Lushnjë

Prokuroria e qarkut të Fierit njoftoi të enjten se deputeti i Partisë Socialiste në pushtet, Bujar Çela, dyshohet për tri vepra penale në lidhje me shpërthimin nga i cili vdiqën dy njerëz në qytetin perëndimor të Shqipërisë, Lushnjë, javën e kaluar.

Ajo tha se nuk ka kompetencë për të kryer hetime kundër Çelajt dhe për këtë, çështjen ia ka kaluar Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar në Tiranë, për shkak se Çela është anëtar i Parlamentit të Shqipërisë.

Çela dyshohet për “shkelja të rregullave të mbrojtjes në punë”, “ndërtim të paligjshëm”, dhe “shkatërrim të pronës nga pakujdesia”.

Prokuroria e Fierit i akuzon edhe gjashtë persona të tjerë për vepra penale në këtë rast, ndërsa e ka arrestuar një person deri tani.

I arrestuari është pronari i një kompanie, që ishte kontraktuar nga deputeti socialist për ndërtimin e magazinës së tij. Por, ai ka pretenduar se “ishte ende në pritje” dhe se kompania e tij “nuk i kishte nisur punimet”.

Shpërthimi i 1 marsit ndodhi pranë një magazine e cila është në pronësi të Çelajt, për të cilën policia tha se kishte leje ndërtimi, por kjo leje ishte tejkaluar, duke u shtrirë në një territor më të gjerë nga sa ishte përcaktuar nga autoritetet.

Babë e bir humbën jetën nga ky shpërthim, ndërsa u plagosën edhe shtatë persona të tjerë, përfshirë vetë Çelajn.

Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe biznese dhe banesa që ndodhen pranë vendit të ngjarjes.

Ndërkohë, Prokuroria e Fierit ka kërkuar që kreu i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë e Lushnjës dhe katër inspektorë të tjerë të pezullohen nga detyra dhe atyre t’u ndalohet largimi nga vendi gjatë hetimeve ndaj tyre.

Ata dyshohen për “shpërdorim detyre”, pasi nuk kanë kryer kontrolle për punimet që po kryheshin në magazinën në pronësi të deputetit socialist, i cili ndodhet ende në spital nën kujdes mjekësor.

Inspektorët kanë deklaruar në Polici se “nuk ishin njoftuar nga bashkia për ndërtimin dhe se sistemi online, që informon institucionet për lejet e ndërtimit, nuk funksiononte prej disa muajsh”.

Pas hetimeve ka rezultuar se shpërthimi është shkaktuar nga një problem që kishte ndodhur gjatë prerjes dhe çmontimit të disa profileve të hekurit duke përdorur flakë me nxehtësi të lartë, në shkelje të kushteve të sigurisë në punë./REL