Foto: PSD
Shpend Ahmeti takon Veton Surroin e Luan Shllakun për dialogun me Serbinë
Kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti dhe nënkryetari i kësaj partie Dukagjin Gorani janë takuar me publicistin Veton Surroi dhe drejtorin e Fondacionit për Shoqëri të Hapur (KFOS) Luan Shllaku.
Në takim është diskutuar për rezolutën e propozuar të PSD-së dhe nevojën për përfshierjen e shoqërisë civile në dialog. ‘’Duke e shpjeguar Projekt-rezolutën e paraqitur nga PSD-Nisma-Alternativa, përfaqësuesit e PSD-së vlerësuan nevojën e përfshirjes së shoqërisë civile në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
Rezoluta dhe ligji për dialogun mundësojnë përfaqësim gjithëpërfshirës, vendimmarje konsensuale dhe platformë shtetërore, në përputhje me interesin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës’’, thuhet në njoftimin e PSD-së.
Më tutje në njoftim thuhet se ‘Partia Socialdemokrate vlerësoi iniciativën e z.Surroi dhe z.Shllaku, për të kontribuar pozitivisht në procesin e dialogut me Serbinë, me mbështetje në ekspertizë strategjike, duke mundësuar resurse nga një spektër i gjerë lokal dhe ndërkombëtar, drejt arritjes së marrëveshjes eventuale për njohje reciproke me Republikën e Kosovës’.
Në këtë takim u konstatua domosdoshmëria që Kuvendi i Kosovës të ketë rol qendror në procesin e dialogut me Serbinë.