Xhafer Tahiri shkarkon drejtorin e Vetëvendosjes

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Vushtrri, Sedat Rashica, është liruar nga detyra.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com kryetarit i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

“Secili drejtor në koalicionin LDK, VV, AAK, AKR dhe Nisma i nënshtrohet vlerësimit individual. Drejtori në fjalë është liruar nga përgjegjësitë e tij, por presim që VV të propozojë një emër tjetër për këtë drejtori”, ka thënë Tahiri.

Kryetari është pyetur edhe rreth lajmeve se pas shkarkimit të drejtorit është prishur koalicioni LDK- VV.

“Ka shumë investime nga jashtë që bashkimi i madh që ka ndodhur në Vushtrri të prishet, por ne jemi të vendosur që të vazhdojmë tutje”, ka thënë Tahiri për KALLXO. com.

Sipas kryetarit koalicioni i madh në Vushtrri në mes të LDK, VV, AKR, AAK dhe Nisma është bashkim i subjekteve politike mbi parime të shëndosha dhe ka për qëllim ndryshimin e domosdoshëm në Vushtrri.

KALLXO. com ka tentuar të marrë një përgjigje rreth shkarkimit edhe nga ana e ish drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Sedat Rashica, po i njëjti nuk është përgjigjur në telefon.