(Ilustrim) - Vushtrria - Foto: KALLXO.com

Vushtrria ndau rreth 20 mijë euro për dekorimin e qytetit, pushteti kritikohet nga opozita

Komuna e Vushtrrisë ka ndarë 19,950 euro buxhet për dekorimin e qytetit për fundvit.

Drejtori i Prokurimit, Ilmi Azemi, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se shuma për këtë aktivitet prokurimi është më e ulët për afro 6 mijë euro krahasuar me atë të para dy viteve.

Kompanitë e përzgjedhura që fituan tenderin janë NNP “Elektro” dhe “Electro Plus” SH.P.K

“Konfirmojmë se më datë 20.12.2023 komisioni komunal ka pranuar punët të cilat janë përfunduar konform kontratës dhe në zyrën e prokurimit ka dorëzuar certifikatë-raport mbi përfundimin e punëve. Pasi kemi pranuar raportin konform kontratës është përmbushur në tërësi obligimi kontraktual financiar ndaj operatorit ekonomik” – ka thënë Azemi.

Ndërkaq nga opozita në Vushtrri thonë se vlera e kontratës është e lartë në krahasim me dekorimet që janë bërë në qytet.

“Është një shpenzim i madh për një dekorim të dobët të qytetit”- ka thënë Shkelzen Xhaferi, nënkryetar i LDK-së në Vushtrri.

Xhaferi thekson se me dekorimin për fundvit është bërë edhe padrejtësi ndaj bizneseve të gastronomisë, të cilat operojnë në sheshin “Adem Jashari” në Vushtrri, për shkak të punimeve nga ana e Komunës  për zgjerimin e këtij sheshi.

“LDK konsideron se u është bërë e padrejtë bizneseve në sheshin “Adem Jashari”, me dekorimin e fundvitit. Duke pasur parasysh që është “mbytur” ajo pjesë me punime në shesh, dekorimi në pjesën tjetër të sheshit do të zgjonte sadopak bizneset dhe gastronominë e asaj pjese, kurse dekorimi para Komunës nuk ka asnjë efekt pozitiv dhe nuk po vizitohet nga qytetarët” – shtoi Xhaferi.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri ditë më parë ka dalë edhe me një reagim publik lidhur me nënshkrimin e kësaj kontrate.

“Në këto rrethana të inflacionit, çmimeve të larta për produktet elementare me të cilat po ballafaqohen shumë familje, Ferit Idrizi ka paguar hiç më pak se 19,500 euro për pak drita e dekorime me rastin e fundvitit. Nuk duhesh të jesh ekspert që ta kuptosh sa çmim i fryer është ky dekorim dhe çka fshihet parapa tij”- thuhet në reagimin e LVV-së.