Komuna e Vushtrrise

Gruaja e drejtorit të Inspekcionit në Vushtrri punësohet mësimdhënëse

Ajtene Hasani- Pllana, gruaja e drejtorit për inspektime në Vushtrri, Bujar Pllana është punësuar si mësimdhënëse e Gjeografisë me orar të pacaktuar në shkollën “Anton Zako Çajupi” dhe “Adem Voca”.

Hasani- Pllana është shpallur kandidatja më e suksesshme me 191.3 pikë.

Drejtori për Inspektime, Bujar Pllana që vie nga radhët e PDK-së, e cila udhëheq me Komunën e Vushtrrisë, ka mohuar të ketë pasur ndikim në punësimin e gruas së tij si mësimdhënëse.

Pllana për KALLXO.com tha se përzgjedhja e gruas së tij në pozitën si mësimdhënëse ka qenë meritore.

“Ka hyrë në test me shkrim ka hyrë në intervistë, ka dal më e suksesshmja. Kurrfarë ndikimi unë aty nuk kam pas. Le ta bëjnë një komision ad-hoc, në ‘dashi’ gazetarë në ‘dashi’ prokurorë, në ‘dashi’ krime ekonomike, nëse nuk del më e mira prapë për gjysmë ore… Unë nuk kam pas kurrfarë ndikimi, ka qenë Drejtoria e Arsimit, janë publike testimet mundeni me shku me i këqyrë”- ka thënë ai.

Ajtene Hasani- Pllana e cila tashmë mbanë pozitën e mësimdhënëses, ka kundërshtuar pretendimet për ndërhyrje të bashkëshortit të saj në konkursin e shpallur.

Bashkëshorti nuk ka mujt me pasë ndikim, unë i plotësoj kriteret. Unë e kam përfunduar fakultetin FSHMN, Gjeografinë arsimore 4 vjet, e kam përfunduar masterin në Fakuktetin e Edukimit dy vjet, unë i kam plotësu kriteret, të gjitha kriteret të cilat i ka kërku Drejtoria e Arsimit dhe ndikim burri nuk ka pasë” – tha ajo.

Ndikimin në punësimin e Hasani Pllanës e kanë mohuar edhe nga Drejtoria e Arsimit në Vushtrri.

“Komisioni intervistues ka qenë në përbërje të plotë, ka trajtuar me profesionalizëm dhe objektivizëm secilën procedurë të intervisitmit, dhe secilit kandidat të pakënaqur me rezultatin e konkursit, i garantohet e drejta e ankesës, por brenda afatit të ankesave, DKA-ja nuk ka pranuar asnjë ankesë nga kandidatët tjerë”- kanë thënë nga kjo drejtori për KALLXO.com

Testi me shkrim dhe intervista  

Konkursi për mësimdhënës të gjeografisë me kohë të pacaktuar në SHFMU “A.Z. Çajupi” – Vushtrri dhe në SHFMU “Adem Voca” – Pasomë, ishte shpallur më 24 gusht 2023.

Më 11 tetor 2023 Komuna e Vushtrrisë kishte publikuar listën e ngushtë të kandidatëve të cilët kishin plotësuar kriteret për t’u thirrur në test me shkrim.

Më 17 tetor ishte bërë njoftimi i kandidatëve për testin me shkrim që do të mbahej më 20 tetor, ndërsa më 23 tetor në ueb-faqen zyrtare ishte bërë njoftimi për kandidatët të cilët ‘ishin kualifikuar’ për të hyrë në intervistë me gojë.

Por, po me këtë datë, në ueb-faqen zyrtare të Komunës së Vushtrrisë, ishte publikuar vendimi për kandidaten më të suksesshme, që ishte Ajtene Hasani- Pllana, gruaja e drejtorit të Inspekcionit.

Pra, të njëjtën datë mban njoftimi për kandidatët që do të hynin në intervistë me gojë dhe vendimi për kandidaten më të suksesshme.

Drejtoria e Arsimit në Vushtrri ka thënë se dokumentet e publikuara nuk janë të së njëjtës datë, por ka ndodhur sipas tyre një ‘lëshim teknik’.

“Intervista me gojë është mbajtur më datë: 31.10.2023 (provë: uebfaqja e komunës), pas përfundimit të intervistimit, është nxjerr vendimi për shpalljen e rezultateve përfundimtare; Në vendimin e publikuar, me numër protokolli 52803/23, zyra, ku protokollohen dokumentet e ka bërë një lëshim teknik, pra e ka gabuar vetëm datën, sepse data duhet të jetë: 31.10.2023, që dmth se nuk qëndron pretendimi se vendimi është lëshuar më herët”- tha DKA në Vushtrri për KALLXO.com

“Reagimin për gabimin (lëshimin) teknik, e kemi bërë pasi që e kemi vërejtur një gjë të tillë, sepse edhe legjislacioni në fuqi lejon dy situata kur mund të reagohet për korrigjimin e gabimeve teknike: me kërkesën e palës ose në momentin kur vërehet nga organi” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Edhe Hasani- Pllana është shprehur se më datat në konkurs janë bërë gabime teknike, ndonëse thotë se nuk i ka vërejtur në fillim këto “lëshime”.

“I’u kam nënshtru edhe intervistës me shkrim edhe intervistës me gojë, kjo ka ndodhë për shkak të gabimit teknik të komunës, jo pse nuk jemi intervistu ne… Në test me shkrim jemi hy më datë 20 tetor, me gojë kemi hy më date 31 tetor”- ka thënë Hasani- Pllana.

Për konkursin ka reaguar sot DKA edhe në një njoftim publik.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Komisionin Vlerësues të këtij konkursi, por që deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Për këtë punësim kishte reaguar Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri.

Për LVV-në procesi ka qenë i kurdisur për punësimin e Ajtene Hasani- Pllanës duke ftuar prokurorinë për të hetuar konkursin.