Ilustrim

Shkeljet e njëpasnjëshme në tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve të rendit të katërt në Vushtrri

Më 23 gusht të vitit 2023 janë bërë një vit që kur Komuna e Vushtrrisë e kishte hapur tenderin “Mirëmbajtja e rrugëve të rendit të katërt”, por e njëjta ende nuk ka arritur të nënshkruajë kontratën me asnjë nga 11 operatorët ekonomikë që kanë ofertuar në këtë tender.

Në këtë tender, që kishte një vlerë të parashikuar prej 130 mijë euro, komuna ka planifikuar të shtrojë me zhavorr rrugët e kategorisë së katërt.

“Kemi të bëjmë me shtruarje të zhavorrit, prerje të drunjve, gërmim, hapje të kanaleve, pastrim i kanaleve, gërmim dhe planifikim i trasesë, furnizim me zhavorr, shpërndarje me greder, ngjeshje me cilindër, vendosje e lëshesave, vendosje e gypave të betonit, furnizim dhe punim i mureve mbrojtëse, furnizim dhe punim i kokave hyrëse dhe dalëse nga betoni” – thuhet në tenderin e shpallur nga Komuna e Vushtrrisë.

Nga Autoriteti Kontraktues ishte kërkuar që kompanitë të kishin disa mjete teknike të cilat janë të specifikuara.

“Operatori Ekonomik duhet të posedojë mjete, stabilimentet dhe pajisjet teknike që janë të domosdoshme për realizimin e projektit. (Një) Bager minimum 20-30 tonë; (Një) Bullduzher për rrafshimin e terrenit minimum 8 tonë; (Një) Ekskavator me kapacitet minimum 16 tonë; (Një) Cilindër vibrues 12-16 tonë; (Një) Grejder rrafshues min. 12 tonë, (Tre) Kamionë kiper me kapacitet minimum 10m3” – thuhet në dosjen e tenderit.

Karakteristikë e këtij tenderi të hapur nga Komuna e Vushtrrisë ka qenë mënyra e ofertimit dhe vlerësimit të ofertave. Kriter për dhënie të kontratës ka qenë çmimi i lirë i peshuar, pra vlerësimi është bërë me poentim bazuar në një formulë që komuna paraprakisht e ka bërë publike. Pozicionet e ofertimit janë ndarë në katër pjesë/kategori.

Kategoria e parë kishte 20% të pikëve në vlerësim e në të cilën është paraparë të bëhen punët përgatitore dhe punimet e dheut. Në këtë kategori janë katër pozicione.

Shembull, në pozicionin e katër është paraparë të bëhet “pastrimi i kanaleve ekzistuese të rrjedhave ujore të cekëta dhe rrëkeve nga mbeturinat, rregullimi i tyre nga rrëshqitjet e dheut, materiali i gërmuar të transportohet në vendin e caktuar nga organi mbikëqyrës”.

Njësia matëse për këtë pozicion është metër/kub (m3), mirëpo tek sasia është vetëm numri 1, pra OE kanë ofertuar për vetëm 1 metër/kub..

Në Kategorinë B është paraparë të bëhet shtrimi i zhavorrit dhe e njëjta është peshuar me 30% të pikëve gjatë vlerësimit.

Në Kategorinë C është paraparë të bëhet rregullimi i lëshesave, ndërsa e njëjta është peshuar me 20% të pikëve gjatë fazës së vlerësimit.

Ndërsa, në Kategorinë D janë paraparë punët e betonit, që janë vlerësuar me 30% të pikëve gjatë fazës së vlerësimit.

Për shkak të mënyrës së poentimit, në procesverbalin e hapjes së ofertave janë paraqitur çmime prej të cilave nuk mund të dihet se sa është vlera totale e ofertimit për këtë projekt.

Shembull, në procesverbalin e hapjes së ofertave, kompania “Agro Invest 1 sh.p.k” ka ofertuar me 108.20 euro; grupi i operatorëve “Gurëbardh sh.p.k” & “AlkoImpex sh.p k” ka ofertuar me 274 euro. Ndërsa, kompania “N.T.SH Ramadani” ka ofertuar me vetëm 15.90 euro, që në dukje ka një çmim dukshëm më të lirë se oferta më e shtrenjtë prej 274 eurove. Kompania “NNP Hysnia” ka ofertuar me 45.90 euro; “Pouk Group shpk” me 50.60 euro; “Haxha Kom sh.p.k” me 53.90 euro; “EL BAU sh.p.k” ka ofertuar me 48.90 euro; “BENI COM shpk” me 130.60 euro; grupi i operatorëve “DESHISHKU GP sh.p.k” & “GASHI ING sh.p.k” me 88.11 euro; kompania “AdnanBislimi B.I sh.p.k” me 91.95 euro dhe “NNP Wenda” me 42.64 euro.

Rivlerësim pas rivlerësimi

Dy muaj pas hapjes së tenderit, operatori ekonomik “NTSH Ramadani” me seli në Mitrovicë, me ofertën 15.92 euro ishte rekomanduar për kontratë dhe ishte vlerësuar oferta më e lirë e përgjegjshme pas vlerësimit në bazë të poentimit për katër kategoritë e pozicioneve.

Operatori ekonomik, “NNP Hysnia”, bazuar në nenin 108/A të Ligjit të Prokurimit Publik, në kërkesën për rishqyrtim të dorëzuar tek Komuna e Vushtrrisë kishte kërkuar që tenderi të kthehet në rivlerësim.

Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që të aprovojë pjesërisht ankesën e bërë nga “NNP Hysnia” duke e kthyer tenderin në rivlerësim, por pa treguar saktë se cilat shkelje janë bërë nga komisioni vlerësues.

“Komisioni i vlerësimit dhe ZPP-ja gjatë trajtimit të dosjes së tenderit, pasi që ka menduar dhe vlerësuar se OE e shpallur fituese si operator që i plotësonte kriteret për t’u shpërblyer me kontratë, mirëpo, pas rishqyrtimit të dosjes dhe verifikimit të detajuar, gjetjet e tjera rreth rivlerësimit të tenderit të Ankuesit do të konkretizohen dhe materializohen gjatë procesit të rivlerësimit në raportin e rivlerësimit” – thuhet në vendimin e datës 7 nëntor 2023, nënshkruar nga Azize Krasniqi, zyrtar kryesor i prokurimit në Komunën e Vushtrrisë.

E dy muaj pas rivlerësimit, më 19 janar 2023, Komuna e Vushtrrisë vendosi që të rekomandonte për kontratë kompaninë “Adnan Bislimi B.I” që kishte ofertuar me çmim prej 91.95 euro, për mirëmbajtjen e rrugëve të rendit të katërt. Në vendimin e AK-së për këtë tender janë eliminuar nga gara 7 operatorë ekonomikë me arsyetimin se të njëjtët nuk e kishin vazhduar validitetin e ofertave. Tre operatorë të tjerë janë eliminuar nga gara me arsyetimin se nuk i plotësonin kriteret e dosjes së tenderit, përkatësisht nuk kishin disa prej makinerive të kërkuara në dosje.

Dy nga operatorët ekonomikë të eliminuar nga gara ishin ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit duke pretenduar se Komuna e Vushtrrisë ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik.

Në pretendimet e saj, kompania “NNP Hysnia” akuzon Komunën e Vushtrrisë për manipulim me këtë aktivitet të prokurimit pasi sipas tyre kjo komunë ka favorizuar kompaninë fituese.

Kjo kompani u përjashtua nga tenderi edhe për faktin se nuk i kishte mjetet e kërkuara. Po ashtu, ata pretendojnë se janë eliminuar për shkak të terminologjisë së përdorur për një fjalë.

“AK ka kërkuar (Bullduzher min 8 tonë) pajisje të cilën ne e posedojmë mirëpo në procesin e doganimit mjeti në fjalë është emërtuar nga stafi doganor me termin ekskavator, por që nga të dhënat e tjera të DUD-it doganor vërtetohet edhe përmes ueb faqeve dhe katalogëve te makinerive se makina është Bullduzher dhe plotëson kërkesat e AK” – bëhet e ditur në ankesën e kompanisë “NNP Hysnia”.

E të njëjtin pretendim e ka edhe kompania tjetër “NNP Wenda”, e cila po ashtu u eliminua me arsyetimin se nuk kishte bager.

“Gjithashtu në FDT është kërkuar bager, por dallimi mes bagerit dhe ekskavatorit nuk ka sepse bëhet fjalë për një makineri të njëjtë te koncepti gjuhësor, krejt kjo mund të argumentohet me një klikim në Google dhe dëshmohet se bëhet fjalë për të njëjtën makineri sepse bageri është identik me ekskavator dhe kryen të njëjtin funksion dhe nuk ka dallime tjera përveç aspektit gjuhësor” – thuhet në ankesën e tyre.

Pas tre muajve që ishin dorëzuar këto ankesa, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë vendim në favor të këtyre dy kompanive duke u bazuar në raportin e ekspertes shqyrtuese, e cila ka vlerësuar se pretendimet e operatorëve në lidhje me terminologjinë e fjalëve janë të qëndrueshme.

Kështu, OSHP-ja në vendimin e datës 22 maj 2023, kishte vendosur që vendimi i AK-së për rekomandim për kontratë për tenderin “Mirëmbajtja e rrugëve të rendit të katërt” të anulohet, ndërkaq aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim.

Pas këtij vendimi të OSHP-së, Komuna e Vushtrrisë i ka rivlerësuar ofertat dhe e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “NNP Wenda”, e cila kishte ofertuar me çmimin 42.64 euro.

Por, më 4 korrik 2023 tenderi u pezullua përsëri, me arsyetimin se një operator ekonomik ka dorëzuar kërkesën për rishqyrtim. Që nga ajo datë, Komuna e Vushtrrisë më nuk ka publikuar asnjë njoftim në E-prokurim, mirëpo në faqen e OSHP-së figuron ankesa e bërë nga kompania “NNP Hysnia”.

Kjo kompani kësaj radhe në ankesën e saj e quan të papërgjegjshme kompaninë e rekomanduar për tender.

“Sepse pretendimi ynë ka qenë që Komisioni për vlerësim, ekzaminim dhe krahasim të tenderëve nuk i ka ekzaminuar siç duhet dhe sa duhet dokumentacionin e “NNP Wenda” Vushtrri, sepse OE në fjalë është i papërgjegjshëm dhe nuk plotëson kërkesat e nenit 51” – thuhet në ankesën e tyre të dorëzuar në OSHP më 17 korrik 2023.

Më 10 gusht të vitit 2023, OSHP-ja e ka publikuar raportin e ekspertit shqyrtues të bërë bazuar në ankesën e kompanisë “NNP Hysnia”, i cili ka vlerësuar se Komuna e Vushtrrisë sërish ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik.

“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si pjesërisht e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim” – thuhet në rekomandimin e ekspertit shqyrtues për këtë tender.

Komentet rreth këtij tenderi nuk kanë dashur të japin nga Komuna e Vushtrrisë me arsyetimin se nuk dëshirojnë të ndërhyjnë në vendimin e OSHP-së.

“Duke qenë se lënda gjendet në OSHP dhe me qëllim të shmangies së ndërhyrjes gjatë procesit të vlerësimit nga ta, ne nuk mund të prononcohemi. Mirëpo, pasi që të përfundojë trajtimi i lëndës nga OSHP jemi të gatshëm t’u përgjigjemi pyetjeve” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Vushtrrisë të dërguar më 2 maj 2023, para se OSHP-ja të merrte vendimin e parë.

E gjithë këtë zvarritje të këtij aktiviteti të prokurimit nga “Demokracia Plus” thonë se ka të bëjë më joprofesionalizëm nga ana e komisionit vlerësues.

“Zvarritja e këtij tenderi ka të bëj me joprofesionalizëm apo vlerësim jo të mirë nga ana e komisionit vlerësues të caktuar nga Autoriteti Kontraktues, si pasojë e secilës janë dërguar tri ankesa në OShP, nga të cilat një është ende duke u shqyrtuar, ndërsa për dy ankesa, OShP ka marrë vendim për rivlerësim. Krejt kjo zvarritje është si rezultat i mosvlerësimit të duhur të ofertave të OE” – ka deklaruar Diell Haxhimusa nga “Demokracia Plus”.

Ky artikull është shkruar nga Doresa Geci përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.