Asambleja e kaluar e Prishtinës. Foto: KALLXO.com/Arkiv

Shkarkimi i drejtorëve, asamblisti i VV-së: Shpend Ahmeti po e konsideron komunën pronë private

Asambleistët komentojnë ‘shkarkimet selektive’ të Shpend Ahmetit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka shkarkuar dy drejtor të Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo të cilës i përkiste edhe vetë Ahmeti deri në maj të këtij viti.

Dje, i pari i Prishtinës në një përgjigje për KALLXO.com tha se vendimi për shkarkimin e drejtorit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtoreshës komunale të Kadastrit, Nora Kelmendi “erdhi pasi situata është bërë e paqëndrueshme”.

Asambleisti nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Bashkim Beha tha për KALLXO.com se mbështet vendimin e kryetarit të komunës dhe njëherësh kryetar i PSD-së.

Sipas tij, Vitia dhe Kelmendi kanë refuzuar të bashkëpunojnë me komunën.

“Ka kaluar më shumë se pesë muaj që kur e kemi dërgu ofertë zyrtare LVV ku i kemi dhënë më së shumti drejtori prej krejt anëtareve të koalicionit. Na është premtu që do të na japin përgjigje kur ta mbajmë këshillin e përgjithshëm të Lëvizjes edhe e kanë mbajte këshillin e nuk na kthyer përgjigje. Po ashtu, drejtorit përkatëse kanë fillu mos me u merr me punët që u janë caktuar. Se a është korrekt vendimi i kryetarit, unë mendoj se nuk është korrekte që LVV mos me na kthyer përgjigje, të paktën një përgjigje për ofertën tonë”, tha Beha.

I pyetur se kur planifikohet emërimi i drejtorëve të ri, ai u përgjigj vetëm se kushdo që do t’i zëvendësojë “do ta kryejnë punën, nëse jo më mirë të paktën si këta”.

“Një gjë u siguroj se kushdo që t’i zëvendësojë këta persona, do ta kryejnë nëse jo ma mirë të paktën si këta. Ne si grup i asamblistëve të PSD-së kemi kërkuar që këta persona me qenë kompetent dhe të gatshëm me i kry detyrat të cilat i caktohen duke pas parasysh që na i miratojmë një buxhet vjetor edhe me i realizu konform planifikimeve sepse qytetarët e Prishtinës e presin këtë”, shtoi asamblisti i PSD-së Bashkim Beha.

Migjen Shala asamblist nga radhët e PDK-së u shpreh se nuk do të ketë ndonjëherë koalicion PDS-PDK, informacion ky i përhapur nga mediat kohëve të fundit.

Ndërsa, sa i përket drejtorëve të shkarkuar tha se nuk i intereson ky vendim.

“Ato janë matematikë e tyre, ne nuk jemi pjese e koalicionit e as nuk do të jemi ndonjëherë pasi që së pari ndryshon programi, sa i përket shkarkimit të drejtoreve nuk jemi kanë pjesë e tyre nuk e di, e as nuk na interesojnë ato sene, ne nuk jemi as me pozitën as me opozitën por veç në favor të qytetareve”, tha ai për KALLXO.com

Egzon Azemi asamblist i LVV për KALLXO.com ka lavdëruar punën të cilën po e kryenin dy drejtorët tashmë të shkarkuar nga Ahmeti, që sipas tij, ky i fundit po e cilëson komunën ‘pronë private’.

“Shpendi po e cilëson Komunën sikur ta kishe pronë private, e jo si pozicion që e fitoi nga votat e qytetarëve. Besimin e votat i morri përmes LVV-së, ndërsa qeverisjen po dëshiron ta realizoj përmes AKR-së, AAK-së e PDK-së. Drejtoria e Katastrit, Shëndetësisë, dhe ajo e Kulturës aktualisht janë drejtoritë me performancës më të mira, këtë jo se po e them unë, por e thotë secili raport buxhetor”, tha Azemi.

Ndërsa, drejtori i Kulturës, Yll Rugova është drejtori i vetëm i mbetur nga partia Lëvizja Vetëvendosje.

Rugova për një prononcim për KALLXO.com se a do të vetë shkarkohet nga kjo pozitë, ai tha se asnjë veprim nuk do ta marrë pa u konsultuar me Lëvizjen Vetëvendosje.

Shpend Ahmeti e kishte fituar Prishtinën në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje në dhjetor të vitit të kaluar pas vendimit të Gjykatës Supreme për refuzimin e ankesave të LDK-së.

 

https://kallxo.com/flasin-te-shkarkuarit-e-vv-se-nga-shpend-ahmeti/

 

https://kallxo.com/ahmeti-nuk-do-te-kete-koalicion-me-pdk-ne-ne-prishtine/?

 

.