Shesheli gjatë një tubimi pas lirimit të tij nga Haga. Foto: BETA.

Sheshel Garon për President të Serbisë

Komiteti qendror i Partisë Radikale Serbe e zgjodhi të dielën Vojislav Sheshelin kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, ndonëse ai së shpejti do të përballet në Gjykatën e Apelit të OKB-së në Hagë pas shfajësimit në shkallën e parë për krime të dyshuara të luftës.

“Me pajtimin e plotë të të gjithë anëtarëve të pranishëm të komitetit, unanimisht kemi vendosur që kandidati për zgjedhjet e ardhshme presidenciale nga Partia Radikale Serbe do të jetë kryetari i partisë Vojislav Sheshel”, njoftoi partia përmes një komunikate.

Më 2014, Sheshel është liruar përkohësisht nga qendra e paraburgimit në Hagë për t’u trajtuar nga kanceri dhe që nga kthimi në Serbi ai është marrë aktivisht me politikë.

Lirimi i tij nga akuzat më 31 mars ka rritur ndikimin dhe popullaritetin e tij në zgjedhjet parlamentare të Serbisë që u mbajtën muajin e kaluar, duke bërë që Partia Radikale të fitojë më shumë se 8% të votave dhe të kthehet në Parlament pas mungesës katërvjeçare.

Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, Shesheli ishte përkrahës i aleancës me Rusinë si dhe kërkoi që Serbia të heqë dorë nga synimi për t’iu bashkuar BE-së dhe ta ndalë bashkëpunimin me NATO-n.

Prokuroria e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i është drejtuar Dhomës së Apelit të OKB-së më 2 maj duke kërkuar që ta përmirësojë aktgjykimin sipas të cilit Sheshel u lirua nga të gjitha pikat e aktakuzës ose ta kthejë rastin në rigjykim.

Vojislav Sheshel akuzohej për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në vitet 1990 në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci.