Flamuri amerikan - Foto: REL/Shutterstock

ShBA uron popullin e Kosovës në 11-vjetorin e Pavarësisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë uruar popullin dhe institucionet e Kosovës në 11-vjetorin e Pavarësisë.

Në një letër të Sekretarit amerikan të Shtetit, thuhet se ShBA mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën drejt një të ardhme më prosperuese, të qëndrueshme dhe të sigurt.

Në letrën e tij, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo thekson se  normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke si thelbin e saj, do të jetë thelbësor për suksesin e Kosovës.

“Sigurimi i këtij vizioni kërkon gjithashtu hapa të vazhdueshëm për të forcuar institucionet tuaja demokratike. Ne duam të vazhdojmë të ndërtojmë partneritetin tonë dypalësh, bazuar në vlerat dhe prioritetet e përbashkëta, duke ndihmuar Kosovën drejt integrimit të mëtejshëm perëndimor”, ka thënë Mike Pompeo.

Në letrën e tij, Sekretari i Shtetit thekson se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë lidhjen e fortë midis dy popujve.

Sot, Kosova feston 11-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.