Kryeministri Kurti takon ish-Sekretarin amerikan të Shtetit dhe ish-drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo

Në tryezën ndërkombëtare vjetore të revistës prestigjioze “The Economist”, e cila po mbahet në Athinë, kryeministri Albin Kurti zhvilloi takim me ish-Sekretarin amerikan të Shtetit dhe ish-drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.

Sipas një komunikate të Qeverisë, në këtë takim u theksua miqësia dhe partneriteti i Kosovës me SHBA-në, nevoja për shtimin e investimeve ekonomike amerikane në Kosovë dhe hapat që po ndërmerr Kosova për të shtuar sigurinë dhe mbrojtjen. 

Kurti e njoftoi Pompeon me të arriturat e Kosovës sa i përket rritjes ekonomike, cilësisë së demokracisë dhe imazhit të Kosovës në botë. 

Tutje, në komunikatë potencohet se u diskutua edhe situata në Evropë e posaçërisht në Ballkan pas agresionit ushtarak të paprovokuar, ilegal e të pajustifikueshëm të Rusisë mbi Ukrainën. 

Lidhur me situatën në Evropë, të dy u pajtuan që Rusia nuk bën kurrsesi ta fitojë këtë luftë, që kontinenti evropian mbrohet më së miri me unitet të brendshëm dhe me urën transatlantike me SHBA-në dhe se Kosova është shembull suksesi i qëndrueshmërisë së popullit të saj dhe i ndërhyrjes së NATO-s.