Sfidat e Komunës së Prizrenit me qentë endacak, vjedhjet e shumta dhe zjarrvëniet

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Prizrenit sot ka mbajtur mbledhjen e radhës. Përveç anëtarëve të rregullt të këtij Këshilli, në këtë mbledhje ishin prezentë edhe mysafirë nga institucionet qendrore, të cilët dhanë sqarime në lidhje me sigurinë në fushat e tyre përkatëse.

Përmes një komunikate, Komuna e Prizrenit ka listuar problematikat me të cilat po përballen qytetarët.

Zjarrveëniet, vjedhjet e shumta, qentë endacak, ishin vetëm disa prej këtyre problematikave.

Kryetari Haskuka tha se Komuna vitin e kaluar ka shtuar ndriçim publik në rrugë deri në 15 km gjatësi dhe do të vazhdojë edhe sivjet që të bëjë ndriçimin e rrugëve, qoftë me shtimin e shtyllave të reja të ndriçimit publik apo riparimit të atyre ekzistuese.

Sa i përket zjarrvënieve nëpër pyje, kryetari Haskuka tha se në Prizren janë identifikuar rreth 200 raste të zjarrvënieve dhe fatmirësisht për shkak të temperaturave jo shumë të larta ato nuk janë përhapur në sipërfaqe më të mëdha. Në lidhje me këtë kryetari ftoi organet e drejtësisë që të ketë masa më të rrepta ndëshkuese ndaj atyre që shkaktojnë dëme të tilla.

Kurse për pyetjen për qentë endacakë, kryetari edhe njëherë bëri të ditur se trajtimi i tyre vazhdon të bëhet në bashkëpunim me Agjencinë e Veterinarisë dhe Ushqimit, derisa procesi i ndërtimit të Qendrës për trajtimin e qenve ka ngecur paksa për shkak të çështjeve pronësore me Agjencinë e Pyjeve. Gjithashtu në lidhje me trajtimin e qenve endacakë, theksoi se Komuna ka bashkëpunim me organizata të ndryshme joqeveritare që merren me mbrojtjen e kafshëve.

Haskuka në fund kërkoi që të miratohet sa më shpejtë Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të ketë mekanzima shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge, dhe me anë të këtij ligji të evitohet edhe problemi i lypsarëve.