Serbët e Graçanicës Nuk Presin Ndryshime

Nën organizimin e OSBE-së, serbët e Kosovës po votojnë për zgjedhjet parlamentare në Serbi edhe në komunën e Graçanicës.

Banorët serbë të kësaj komune, e cila ndodhet 8 kilometra larg Prishtinës, votën e tyre po e japin në shkollën fillore “Kral Milutin”, ku misioni i OSBE-së në Kosovë, si drejtues i operacionit të ‘grumbullimit të votave’, ishte prezent edhe këtu.

Në hyrjen e kësaj shkolle, e cila është njëra nga pesë pikat grumbulluese, shkruante “Pikë Grumbulluese”, por brenda edhe në kutitë e votimit kishte simbole të shtetit serb.

Qytetarët serbë të cilët kishin dalë të votonin shpresonin në ndryshim. Por, kishte edhe nga ata që votonin për mosndryshim.

“Pres ndryshime pozitive. Ndryshim për paqe”, tha Dushanja Mitiq.

Ndërsa për mosndryshim ishte një votues tjetër i kësaj komune, i cili nuk deshi të identifikohej.

“Gjithçka është në rregull, është mirë. Unë po votoj për mosndryshim”, tha ai.

grac1 grac2 grac3 grac4 grac5 grac6

E një tjetër votues nuk ka shpresë që diçka do të ndryshojë në raport me Kosovën.

“Kam votuar për ndryshime, por nuk pres që do të ndërrojë diçka në raport me Kosovën”, tha ky banor i kësaj komune, i cili po ashtu nuk e tregoi identitetin.

Në Kosovë janë hapur pesë qendra të grumbullimit të votave me 16 degë përkatëse në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe e në secilën prej tyre OSBE do të jetë prezent.

Vendvotimet janë hapur në orën 7:00, ndërsa do të mbyllen në orën 20:00.

Pas mbylljes së vendvotimeve, OSBE do t’i dorëzojë fletëvotimet te Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë në Rashkë dhe Vranjë.