Foto: Ilustrim
Sekuestrohen Tri Armë në Suharekë e Prizren
Policia e Rajonit të Prizrenit ka njoftuar se dje e sot ka sekuestruar tri armë, të mbajtura ilegalisht nga qytetarët.
Sipas njoftimit të Policisë, hetues policorë të Stacionit Policor në Prizren pasi që kishin siguruar informacione të besueshme se një i dyshuar nga fshati Zhur kishte në posedim dy armë të gjata e kanë ftuar të paraqitet ne stacion.
Gjatë intervistës, i ballafaquar me provat, i njëjti ka treguar se armët i mban të fshehura në stallë.
Krim-teknikët e kanë sekuestruar: një pushkë gjysmë automatike dhe një pushkë gjahu.
Ndërkaq, rasti i dytë është zbuluar sot në mesnatë nga policët e Trafikut Rajonal në një pikë kontrolli në fshatin Grejkoc.
Një automjet është ndaluar për kontroll dhe në çantën e krahut tek pasagjeri është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e llojit “ZORAKI M 906 B” me 4 fishekë të kalibrit 7.65mm.
Për të dy rastet është informuar prokurori i shtetit, i cili ka sugjeruar inicimin e rasteve, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.