Sejdiu: Sulmi Ndaj Gruas së Stavilecit - Akt Qyqar e i Papranueshëm

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, ka reaguar rreth sulmit ndaj Vitore Stavilecit dhe ndaj akuzave të PDK-së se partia e tij është përgjegjëse për këtë sulm.

Sejdiu thotë këto akuza ngrenë dyshime që Partia Demokratike e Kosovës po bën inskenime ndaj VV-së.

“Janë për keqardhje deklaratat e zyrtarëve të lartë të PDK’së që pa asnjë fakt akuzojnë VETËVENDOSJE!-n në lidhje me këtë rast, duke ndërhyrë në punën e organeve kompetente, që do të duhej sa më parë ta zbardhnin këtë akt kriminal. Ngutia e PDK’së për të akuzuar aktivistët e VV’së nuk përbën vetëm papjekuri të skajshme politike, por edhe lë hapësirë për dyshime rreth inskenimeve të mundshme qëllimkëqija, çka me siguri se nuk do të përbënte risi”, shkroi Sejdiu në Facebook.

Ndërkaq sulmin e sotëm ndaj bashkëshortes së Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilecit, Sejdiu e quajti të papranueshëm.

Ai u bëri thirrje organeve të drejtësisë për zbardhjen e sulmit, ndërsa PDK-së për ndaljen e akuzave që sipas tij janë nxitëse të konfliktit.

http://kallxo.com/pdk-vetevendosje-rrahu-gruan-e-stavilecit/