SBAShK: Orët e humbura nuk kompensohen deri në vendim të gjykatës

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka treguar se kompensimi i orëve të humbura nga greva e cila është mbajtur në arsim, nuk do të bëhet deri në vendimin e gjykatës.

“Jo, mbetet ende në fuqi vendimi që orët e humbura për shkak të grevës të mos kompensohen deri në vendimin e gjykatës”, ka thënë Jasharaj për KALLXO.com.

Ai tutje ka sqaruar se sot kanë pranuar një njoftim nga ana e Gjykatës, ku thuhet se është refuzuar si e pabazuar kërkesa e SBAShK-ut në lidhje me pezullimin e vendimit të MAShT-it për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve në muajin janar.

“Padia  jonë ndaj MASHT- it do të shqyrtohet në seanca të rregullta të gjykatës, dhe jemi të sigurt që gjykata do të sjell vendim meritor dhe do të jetë pro kërkesës sonë”, ka thënë Jashari për KALLXO.com.

Ai ka bërë apel tek MASHT dhe Drejtoritë e Arsimit të mos nguten me vendimet e tyre rreth kësaj çështje.

KALLXO.com ka raportuar sot për njoftimin që SBAShK  e ka pranuar nga gjykata.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditëses Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), me të cilën ka kërkuar nga Gjykata shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të të paditurës, Ministria e Arsimit, Shkencë dhe Teknologjisë (MAShT) të datës 26.02.2019, deri në vendosjen e çështjes sipas padisë”, thuhet në vendimin e Gjykatës të cilin e ka siguruar Kallxo.com.
Më 4 mars 2019, SBAShK-u kishte parashtruar padi në gjykatë kundër MAShT-it me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi. Po ashtu SBAShK ka kërkuar nga gjykata që ekzekutimi i të njëjtit të shtyhet deri në vendosjen definitive të padisë.

“Duke vlerësuar kërkesën e SBAShK-ut, Gjykata pas shqyrtimit të dokumenteve të bashkëngjitura ka gjetur që SBAShK-u me asnjë provë nuk e ka bërë të besueshme pretendimin e saj se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të cilin e kërkon, nuk është në kundërshtim me interesin publik”, thuhet në vendim.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar për Kallxo.com se janë njoftuar në lidhje me vendimin e Gjykatës por që janë në pritje të seancës e cila do të mbahet në lidhje me pjesën tjetër të padisë.

“Po, ne kemi kërkuar dy elemente nga gjykata, që fillimisht të pezullohet vendimi i ministrit, mos të filloj zbatimi i tij. Gjykata nuk e ka parë të rrugës që të sjell një vendim për pezullim. Kurse do të mbahet seancë gjyqësore në lidhje me vendimin”, ka deklaruar Jashari për Kallxo.com.

Ministria e Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë ka marrë vendim për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës se mësimdhënësve të organizuar nga SBAShK-u.

Sipas këtij vendimi, mësimi i humbur për shkak të ndërprerjes së përkohshme të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar publik, me rastin e grevës së mësimdhënësve do të zëvendësohet:

5 ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019;

5 ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019;

5 ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj kishte deklaruar se këtë padi e kanë bërë pasi që konsiderojnë se vendimi për zëvendësimin e orëve të humbura, nuk ka bazë ligjore.

“Këtë aktpadi po e bëjmë nga fakti se konsiderojmë që vendimi i tij nuk është i bazuar në asnjë ligj, pra as në ligjin për greva. SBAShK-u me dokumentin që dorëzon në gjykatë ka kërkuar nga gjykata gjegjëse që fillimisht të pezullojë vendimin e ministrit Bytyqi, pastaj të marrë  vendim meritor në bazë të argumenteve që ne i shtruam dhe në bazë të ligjit për greva”, tha Jasharaj.

https://kallxo.com/sbashk-humb-betejen-e-pare-ne-gjykate-lidhur-me-kompensimin-e-oreve-te-humbura-dokument/